Kuvendi në kaos: Dështoi sërish mbajtja e seancës, ku janë deputetët e VV-së?
Ndonëse ka mbi 50 për qind të votave, partia në pushtet po dështon ta sigurojë shumicën për mbajtjen e seancave në Kuvend. Në mungesë të kuorumit të deputetëve, sot përsëri ka dështuar mbajtja e seancës.
Dy tentativa të kryeparlamenatrit Glauk Konjufca për të mbajtur seancën e stome kanë dështuar. Seanca që kishte filluar në ora 10:00 ishte shtyrë për në 12: 30, duke shpresuar në ardhjen e deputetëve. Por, edhe pas dy orë pauze, deputetët e LV-së nuk iu kishin përgjigjur thirrjes për seancë.
Kjo detyroi të parin e kuvendit që seancën ta shtyjë për një ditë tjetër.
Mungesa e deputetëve të partisë në pushtet ka nervozuar kryetarin Galuk Konjufca, i cili vije nga kjo parti dhe subjektet opozitare.
Në një moment, Konjufca ka thënë se me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputeteve kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë.
“Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”, ka thënë Konjufca.
Në këtë mënyrë Kuvendit ka dështuar edhe javën e kaluar. Ndonëse ishte paraparë që të mbahen dy seanca, në mungesë të kuorumit të dyja kishin dështuar.
Opozita akuzon VV-në
Mungesa e deputetëve të VV-së për të krijuar shumicën e nevojshme për mbajtjen e seancës ka nxitur reagime të shumta.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar partinë në pushtet, duke thënë se kjo parti vazhdueshme po dështon të sigurojë shumicën për mbajtjen e seancave të Kuvendit.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo është papërgjegjësi e skajshme.
“Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme. Puna e parë dhe kryesore e deputetëve është miratimi dhe inicimi i nismave ligjore. Jo hajt pak. Jo deklarimet jashtë rendit të ditës. Jo shoë. Është vend pune. Është kontratë me qytetarin”, ka shkruar Çitaku.
Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka fajësuar mazhorancën për këtë dështim.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se për mazhorancen kanë rëndësi vetëm deputetët e VV-së.
“Kuorum për të filluar seanca kishte. Në sallë ishim rreth 90 deputetë. Rregullorja e Kuvendit kërkon që seanca të filloj kur ka kuorum - pra kur janë 61. POR, shumica po kalkulon sa deputetë i kanë ata në sallë, PA opozitën. Pra, ne kot shkojmë aty. Rëndësi ka vetëm 50%-shi i parë (që nuk po arrijnë ta sigurojnë), jo dhe i dyti, dhe e gjithë kjo në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar ajo.
Ankesa ka shprehur edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Në një deklarim për media, ai ka thënë se kjo është papërgjegjesi e partisë në pushtet.
“Fatkeqësisht jeni dëshmitar edhe të një dështimi të seancës së Kuvendit. Ky dështim vjen si rrjedhojë e një qasje totalisht jo të përgjegjshme e jo serioze të mazhorancës. Na e shtyn seancën e parë për në ora 12:30 edhe kjo seancë dështoi për shkak se u mungojnë numrat”, është shprehur Tahiri.
Sipas tij, ky është abuzim me besimin e qytetarëve.
“Është e papranuehsme dhe është abuzim me besimin qytetar me qasjen që e ka kjo Qeveri dhe kjo mazhotancë. Kuvendi është kthyer në një lojë me numra që vjen si rrjedhojë e një qasje autoritare, arbitrare që e ka pas tash e dy vjet”, ka thënë Tahiri.
Zvogëlimi i deputetëve të VV-së
Vitin e kaluar, grupit parlamentar të Vetëvendosjes i iku Doarsa Kica-Xhelili që u bë bashkë me LDK-në. Ndërkohë, sivjet këtij grupi parlamentar që udhëhiqet nga Mimoza Kusari i iku edhe Fatmir Humolli.
Kjo bëri që numri i deputetëve të binte në 56 sosh. Por, as këta 56 nuk duken aq solidë.
Deputeti Haki Abazi ani pse ende vazhdon të jetë pjesë e VV-së në Kuvend, ka eskaluar në gjuhë të ashpër e madje edhe fyese ndaj kryeministrit Kurti por edhe ndaj shefes Kusari Lila.
Por, situata bëhet më serioze kur numërojmë deputetët e grupit konservator të kësaj partie politike.
Projekt-Kodin Civil – tema më e rëndësishme dhe domethënëse për përcaktimin e këtij krahëve politikë – e kishin votuar vetëm 26 deputetë të VV-së, përfshirë edhe Haki Abazin. Kjo nënkupton se numri që nuk e mbështet Kurtin në këto tema të ndjeshme është rreth 30.

