Kuvendi në duar të opozitës, sot mbahet seanca e katërt parlamentare pa partinë në pushtet
Opozita sot do të mbaj seancën e radhës të jashtëzakonshme. Në këtë seancë, e cila është thirrur me propozim të LDK-së, do të diskutohet për skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Kjo është seanca e katër e thirru nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe deputetët e pavarur, ku nuk do të marrin pjesë deputetët e VV-së.
Partia në pushtet pa ndonjë arsyeje, ka braktisur të gjitha seancat e thirrura nga opozita për të diskutuar rreth skandaleve qeveritare që janë publikuar nga mediat.
Në këtë mënyrë do të veprojë edhe sot. Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka treguar arsyet pse deputetët e VV-së nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme, e cila do të fillojë nga ora 12:00.
Në emisionin “DPT Fidani”, ai ka akuzuar opozitën se me këto seanca po bën tubime politike në Kuvend.
“Jo nuk kemi ndërruar qëndrim, arsyeja e para është ata janë duke bërë tubime politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kuvendi rolin e ka legjislativ, edhe i thyhet për t’u votuar ligje aty, në fund ligjet vijnë për t’u votuar në seanca”, ka thënë Basha.
Veprimet e VV-së për të mos marrë pjesë në seancat e ftuara nga opozita janë kritikuar nga shoqëria civile dhe njohësit e rrethanave juridike dhe politike.
Sipas tyre, kjo është ikje nga përgjegjësia dhe llogaridhënia.
Madje, juristët kanë bërë me dije se veprimi i deputetëve të VV-së është edhe antikushtetuese.
Çka do të diskutohet në seancën e sotme?
Në seancën e thirrur nga LDK-ja, që është mbështetur nga PDK-ja, AAK-ja dhe deputetët e pavarur, propozuesido të prezantojë edhe një projektrezolutë.
Dokumenti në fjalë, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, përmban 7 pika.
Përmes këtij dokumenti, Kuvendi kërkon që të hetohen të gjitha skandalet në KEK.
“1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente, që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht. 2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushte të favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.”, thuhet në dy pikat e para të rezolutës.
Më pas, projektrezoluta kërkon që të hetohen ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, duke përfshirë rolin e Dejona Mihalit.
“3. Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK. 4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme”, thuhet në tekstin e projektrezolutës.
Tri pikat e fundit të rezolutës kanë të bëjnë me Qeverinë e Kosovës dhe Bordin e kësaj ndërmarrje.
“5. Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale. 6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qëllim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes. 7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës në ndërmarrje”, është thënë në rezolutë.
Deri me tani, deputetët e VV-së kanë braktisur seancën e jashtëzakonshme ku është diskutuar për krizën e ushqimit në FSK, seancën ku diskutuar për bisedën e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin serb Milan Radoiçiq dhe seancën për faljen e kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalanzhuese të ujit nga Qeveria Kurti.