E rrallë, pushteti braktisë tri seanca të Kuvendit brenda disa ditëve: Është ikje nga përgjegjësia e nga llogaridhënia - NACIONALE

E rrallë, pushteti braktisë tri seanca të Kuvendit brenda disa ditëve: Është ikje nga përgjegjësia e nga llogaridhënia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Braktisja e seancave të Kuvendit nga opozita ka ndodhur shpesh në demokracinë parlamentare të Republikës së Kosovës. Por, në këtë mandat po ndodh një fenomen i rrallë. Në pjesën e fundit të kësaj legjislature, mazhorance e 50 përqindeshit është ajo që po i braktisë seancat e Kuvendit të Kosovës. Vetëm brenda pak ditëve, deputetët e VV-së nuk kanë marrë pjesë në tri seanca të Kuvendit, të cilat janë thirrur nga opozita.

Këta të fundit dhe monitoruesit e punës së kuvendit janë habitur me veprimet e pushtetit.

Sipas tyre, kjo është ikje nga përgjegjësia.

Deputetët e VV-së nuk kanë marrë pse as sot në seancën e jashtëzakonshme, të cilën e kishte thirrur PDK-ja, ku është diskutuar për faljen e kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalanzhuese të ujit nga Qeveria Kurti dhe për komunikimet e Dejona Mihali dhe ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Ndonëse nuk mori pjesë në këtë seancë, pushteti është munduar që ky debat parlamentar të shihet sa më pak nga qytetarët. Në këtë mënyrë, RTK-ja nuk e ka transmetuar këtë seancë në kanalin e saj kryesor.

Sipas opozitës, kjo është bërë me leje të pushtetit.

Në fillim të këtij debati parlamentar, opozita kishte vendosur kapela të zeza në mikrofonat e deputetëve të pushtetit, të cilët mungonin.

Kështu ata talleshin me “urdhrin” e Dejona Mihalit për Nagip Krasniqin.

Në mesazhet që i ka publikuar gazeta Nacionale, Mihali i thotë Krasniqi që të vendos kapelë për një takim.

Pas mbarimit të kësaj seanca, kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se Qeveria Kurti është qeveri e kapelave të zeza.

“Është jetike që kjo Qeveri e kapelave të zeza të bie! I zënë pamohueshëm në flagrancë duke vepruar kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve, pushteti ka zgjedhur ikjen, fshehjen dhe me këtë rast, edhe turpin. Ata nuk u paraqitën as sot në Kuvend, të paktën që të marrin kapelat e zeza që ua bëmë dhuratë. Nga jashtë sallës së Kuvendit, duke vazhduar të shtrijnë diktatin edhe në televizionin publik, RTK, komisarët e Kryeministrit tentuan ta heshtin opozitën dhe ta fshehin të vërtetën, duke mos transmetuar seancën që kishim ftuar sot në Kuvend”, ka shkruar Krasniq në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, pushteti po dëshiron t`i hesht aferat korruptive.

Por, aferat e tyre të fundit, të cilat tashmë kanë marrë dhenë, janë më të fuqishme sesa tendencat e tyre për manipulim. Tani, nuk ka më dyshime: shteti është i kapur! Mëkatet e Qeverisë janë zbuluar. Akterët po ashtu. E prapa të gjithëve, siç e kemi ditur gjithmonë, doli ai: kryeministri i vendit. Tash kanë mbetur vetëm dy gjëra para se kjo Qeveri të bie për t’u mos u kthyer më: prokuroria të bëjë punën e saj dhe qytetarët të votojnë për largimin e saj më 9 shkurt të vitit 2025. Rikthimi i Kosovës në drejtimin e duhur, të zhvilimit dhe të integrimit euro-atlantik, e ka vetëm një adresë: Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës!”, ka shkruar ai.

Edhe monitoruesit e punës së Kuvendit e kanë kritikuar partinë në pushtet për braktisjen e seancave.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se në këtë mënyrë pushteti ka zgjedhur t’i shmanget përgjegjësisë.

“Deputetët e VV-së kanë bojkotuar seancën e djeshme lidhur me çështjen e ushqimit për FSK-në, ashtu si edhe seancën e jashtëzakonshme për përgjimet. Ata kanë zgjedhur t’i shmangen përgjegjësisë, të anashkalojnë llogaridhënien përpara publikut dhe të plasojnë informacionet njëanshëm sipas dëshirës së tyre, përmes një konference për media. Konferenca për media është një instrument komunikimi i njëanshëm me publikun, një mënyrë e shpërndarjes së informacionit ashtu siç e paketoni vetë atë që doni të shpërndani për qytetarët. Në krahasim me debatet parlamentare, të cilat nuk janë vetëm informim i njëanshëm për publikun, por gjithashtu llogaridhënie, diskutim argumentesh dhe ndërveprim”, ka shkruar Kryeziu.

Opozita i shkon në derë RTK-së

Opozita e ka kritikuar ashpër Radion Televizionin e Kosovës. Kjo pasi RTK-ja nuk e transmetoi sot seancën e jashtëzakonshme ku është folur për aferën e ambalazhuesve të ujit, të cilin e kishte thirrur opozita.

Në një konferencë për media, para RTK-së, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë thënë se kjo flet për ndikimin e pushtetit mbi RTK-në.

Në fakt, deputetët opozitarë kishin për qëllim të futeshin brenda në televizion, por sigurimi ua kishte mbyllur derën e oborrit të RTK-së.

Ata kanë kërkuar llogari nga drejtuesit e televizionit se pse nuk është transmetuar seanca e sotme në kanalin kryesor RTK!.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se niveli ku ka arritur RTK-ja është i frikshëm.

Tashmë aty ku ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Para një periudhe disamujore u përballëm edhe me cenim të jetës së disa gazetarëve nga dy mediume shumë të respektuara në vendin tonë. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë. E zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, kapelat e zeza të Dejona Mihalit nuk e kanë edhe shumë gjatë.

“Pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë. Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK mundem me mbyllë derën, edhe pak, por jo edhe gjatë. Sot çdo qytetar i vendit tonë e sheh abuzimin e tyre, e ndien abuzimin e tyre”, tha Tahiri. “I bëjë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të bordit të japin dorëheqje nga këto pozita. Ata s’mund të jenë drejtues të RTK-së. S’mund të udhëheqin me RTK-në, e mbysin fjalën e lirë, e mbysin zërin opozitar”, është shprehur ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka drejtuar kritika ndaj Radio Televizionit të Kosovës, i cili seancën e sotme nuk e ka transmetuar në kanalin kryesor.

Ai ka thënë se mostranspemtimi i seancës është mbytje e zërit të deputetit dhe qytetarit.

Seanca sot nuk u transmetuar në kanalin zyrtar të Radio Televizionit të Kosovës që nënkupton mbytje e zërit të deputetit, fshehje nga vërtetës që po ndodhin në skandalet të shpërfaqura çdo ditë për afera korruptive. Kjo do të thotë se mbytet edhe zëri i qytetarit përmes përfaqësimit që e kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga punëtoret e RTK-së që të mos i nënshtrohen presionit të pushtetit.

Ky reagim i joni është thirrje për qytetarët e Kosovës, është thirrje për punëtorët që janë pas nesh dhe është thirrje edhe për ata pak moral ju ka mbetur në sedrën e tyre, që të kjo nuk duhet të lejohet, kjo duhet të parandalohet dhe demokracia në vend nuk duhet të mbytet”, ka thënë Zemaj.

Kritika ndaj RTK-së ka qenë edhe Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai ka thënë se RTK-ja është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe e ka obligim transmetimin e seancave.

Institucioni që po shihet mbrapa, është RTK. I themeluar nga Kuvendi i Kosovës, dhe ky institucion u jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor e kushtetutes të cilat duhet t’i përmbush ky institucion, ti transmetojë mesazhet e përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Tahiri.

Deputetët e VV-së nuk kanë marrë pjesë as në seancën e jashtëzakonshme të së hënës, ku është diskutuar për krizën e ushqimit në FSK. Po ashtu, pushteti ka braktisur edhe seancën e së premtes, ku është diskutuar për bisedën e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin serb Milan Radoiçiq.

Lajme të ngjashme