Kompania Pastrimi i ftonte në koktej në 7 të mëngjesit për festën e Vitit të Ri
Prishtina ishte më e shëmtuar se kurrë sot me gjithëpraninë e mbeturinave që nuk ishin hequr nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi”. Ata po kërkojnë kushte më të mira pune dhe paga më të dinjitetshme. Kjo na kthen në “ndejën e fundvitit” dhe e cila, për një pjesë të tyre ishte mbajtur në ora 7 të mëngjesit.
Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” aktualisht paguhen vetëm 330 euro në muaj, një pagë e padinjitetshme që nuk përkon me punën që bëjnë dhe kushtet në të cilat punojnë. Ata po kërkojnë një rritje pagash prej 60 eurove.
“Startin e rrogës për fillim e kemi 330 euro dhe kurrë nuk ka lëvizur, mirëpo është puna që edhe këtë shumë që e kemi lypë është shumë simbolike, pra 70 euro janë për me u ba fiks 400. Na e kemi humbë besimin, se kjo është kërkesë e kahershme për rritjen e pagave. Ne jemi edhe vetë të rrezikuar, kamionët nuk kanë as fre të këmbës e dorës. Kemi dalë me ndihmën e zotit kështu,” – i tha Nacionales Ilaz Rexhepi, punëtor i kësaj kompanie.
Trajtimi i punëtorëve na kthen dy muaj e dy javë në kohë.
Në atë kohë, Kompania në fjalë organizonte “koktej rasti” për punëtorët për nder të Vitit të Ri por duket se pa qenë fort e dhembshur ndaj tyre.
Më 28 dhjetor 2022, kjo kompani ftonte punëtorët për “koktej” në orën 7 të mëngjesit.