Kushtet e Kurtit: BE-ja thotë se është e gatshme t’i lehtësojë negociatat për Asociacion
Asociacioni është bërë sërish tema qendrore e ditëve të fundit, e mbivendosur ndaj propozimit franko-gjerman, pas deklarimeve konfuze të kryeministrit Kurti. BE-ja i ka disa fjalë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e habiti opinionin publik kur më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës u shpreh se mund të merrte në konsiderim edhe Asociacionin.
Megjithatë, ai i shpalosi gjashtë kushte që një gjë e tillë të ndodhte.
Bashkimi Evropian, më herët ka deklaruar se ishte i gatshëm që t’i merrte parasysh komentet e kryeministrit Kurti. Qëndrim ky që e kanë ripërsëritur edhe sot në një prononcim për Telegrafin.
“Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dyja palët, është në kuadër të dialogut. BE-ja është e gatshme të lehtësojë diskutimet mbi Asociacionit në takimet e ardhshme të dialogut,” – u shpreh z. Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Stano megjithatë ka deklaruar se nuk ka deri më tash një datë për takimin e ardhshëm të dialogut mes presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti.