Kush ishte Dick Marty, njeriu që njollosi UÇK-në me trafikim organesh? - NACIONALE

Kush ishte Dick Marty, njeriu që njollosi UÇK-në me trafikim organesh?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, ka vdekur sot në moshën 78 vjeçare.

Mediumi i njohur zviceran, “Swissinfo” ka raportuar se lajmi është konfirmuar nga partia e tij.

Dick Marty është prej emrave më të përfolur në Kosovë tash e dymbëdhjetë vjet. Kjo ndodhi për shkak të publikimit të një raporti – të miratuar edhe në Këshillim e Evropës më 2010 – e ku ngriteshin pretendime të rënda ndaj krerëve të UÇK-së, raporton Nacionale. Mes tjerash, ata ngarkoheshin edhe me dyshimet se kishin trafikuar organe të qenieve njerëzore. Tash së fundi, ai ka akuzuar shërbimet sekrete të Serbisë se po tentonin ta vrisnin për t’i lënë fajin pikërisht UÇK-së.

Dick Marty që ka lindur me 7 janar 1945, është politikan zviceran dhe ish prokuror i shtetit në kantonin e Ticinos. Ai është bërë i njohur si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Marty mban doktoraturë në juridik nga Universiteti i Neuchatelit. Ka punuar në Institutin e njohur Max Planck për Ligjin e Huaj dhe Ndërkombëtar në Freiburg të Gjermanisë.

Puna e tij si kryeprokuror shtetëror në Ticino veçohet për aktivitetet energjike në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve e për këto arritje, ai mori Çmimin e Nderit të Departamentit amerikan të Shtetit për Drejtësi.

Në vitin 1998 Marty u emërua anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ishte pjeësë e Komitetit Monitorues.

Në vitin 2005, Marty ishte emëruar si udhëheqës i hetimeve nga Këshilli i Evropës për të pretenduarat burgje sekrete të CIA-s në Evropë, e të cilat do të konsideroheshin si të paligjshme.

Në qershor të vitit 2006 ai kishte hartuar raportin e tij duke dhënë konkludimin që tregonte se katërmbëdhjetë shtete evropiane kishin ndihmuar në kryerjen e abuzimeve të tilla ndaj të burgosurve.

Marty më pas ka publikuar edhe një raport të dytë për çështjen ku mbështeste të gjeturat e kaluara.

Njollosja e UÇK-së

Më 14 dhjetor të 2010-s, senatori Dick Marty publikoi një raport, i cili shokoi shqiptarët.

Aty pretendohej për trajtime çnjerëzore të njerëzve dhe për vrasjen e të burgosurve me qëllim heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë, ku përfshihej Hashim Thaçi, lider politik i atëhershëm i UÇK-së dhe tani i akuzuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së.

Asokohe, liderët politikë në Kosovë reaguan kundër këtij raporti duke e quajtur “të motivuar politikisht”.

Ndonëse raporti i Martyt është baza kryesore për formimin e Gjykatës Speciale, pretendimet e tij për trafikim organesh nuk përfshihen në aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dick Marty u rikthye prapë në skenë vitin e kaluar, kur u raportuar se po kërcënohet nga shërbimi sekret serb, të cilët kanë provuar ta vrasin e për një gjë të tillë t’i lënë fajin Kosovës.

Në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, Marty kishte thënë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.

Që nga dhjetori 2020, Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ai kërcënohej me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe.

Me 18 dhjetor, 2020, kam pranuar një telefonatë nga policia që më informonin se isha kërcënuar me vdekje dhe më vendosën menjëherë në mbrojtje të lartë të policisë”, ka thënë Marty.

Madje policia i kishin thënë se ai është në rrezik të shkallës së pestë, shkalla më e lartë e rrezikut, prandaj i ishte ofruar ndryshim i identitetit dhe adresës.

“Shkalla pesë nënkupton që të zhdukesh, por unë s’mund ta bëja këtë”, thotë Marty, “prandaj, kemi qëndruar në shkallën katër deri më tani”, shtoi ai.

Marty ka folur përsëri për kërcënimet që i bën atij ku ka dhënë më shumë detaje.

Elementi që ka shpërthyer këtë skenar cinik dhe pervers nga disa ekstremistë nacionalistë serbë është pikërisht ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit, të cilit i është dashur të japë dorëheqje

Në fakt, ka një koinçidencë absolute mes kërcënimeve ndaj meje dhe ngritjes së aktakuzës ndaj eprorëve të UÇK-së, që s’ka të bëjë asgjë me mua, edhe pse është e vërtetë që unë kam qenë ai që ka nxitur këtë proces, por në vitin 2010”, ka thënë ai ndër të tjera.

Para disa jave, ish-senatori zviceran, Dick Marty, është nderuar me çmimin e meritave nga Këshilli i Evropës.

Lajme të ngjashme