Kush është Milloshi i Novi Sadit nga fisi Kuçi të cilin Kurti e akuzon për sulmin në Banjskë? - NACIONALE

Kush është Milloshi i Novi Sadit nga fisi Kuçi të cilin Kurti e akuzon për sulmin në Banjskë?

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Emri i tij është Millosh Vuçeviq. Ai është kryetar i partisë së Vuçiqit, SNS-së. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Vuçeviqi është edhe njeriu kryesor prapa agresionit në Banjskë që ndodhi më 24 shtator. Por, t’i hedhim një sy tamam profilit të tij: çka dimë për këtë person të rrezikshëm, që mund të bëhet ose është bërë njeriu më i pushtetshëm në Serbi?

Dje, kryeministri i mëshoi përsëri alarmit: po ndodhte riorganizimi paramilitar e terrorist i grupit të Millan Radojiçiqit. Ky i fundit i kishte mbledhur bashkë rreth 40 politikanë serbë nga Kosova në Rashkë.

Në atë status, kryeministri nuk e përmendi megjithatë njeriun kryesor, Millosh Vuçeviqin. Por, Vuçeviqin e kishte përmendur më herët, dhe atë shumë specifikisht.

Tri ditë para se ta pranonte draftin e statutit të Asociacionit, më 23 tetor, Albin Kurti do të shkruante gjerë e gjatë për Klanin e Novi Sadit. Ai do të tregonte ashiqare se në krye të këtij klani ishte Milloshi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë.

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit.” – shkruante Kurti që në hyrje të atij statusi. Ai theksonte tutje – nuk e dimë nëse me apo pa ironi –se duhej të themelohej edhe një Gjykatë Speciale posaçërisht për këtë klan që drejtohej nga Vuçeviqi.

Por, çka dimë për këtë farë Vuçeviqin?

Millosh Vuçeviqi është një politikan serb 49-vjeçar që e drejton partinë më të madhe në Serbi, SNS-në, si kryetar i saj prej majit të këtij viti. Kjo zgjedhje e tij si kryetar ishte bërë mu në kohën kur në katër komunat veriore të Kosovës ishin mbajtur disa protesta që më pas u kthyen në të dhunshme. Këtë ndryshim nga Vuçiqi te Vuçeviqi, gazetarja serbe Ana Laliq e kishte vlerësuar si “ndryshim kozmetik”.

Por, duket që s’ishte veç kozmetik marrë parasysh pushtetin në nëntokën serbe që ia mveshi kryeministri Kurti.

Vuçeviqi po supozohet se do të jetë pasardhësi i Vuçiqit, si politikani më i pushtetshëm në Serbi. Dhe, siç ndodh rëndom me persona të tillë që sa-ora mbërrijnë në maje të pushtetit, terri nuk mungon.

Vuçeviqi ka qenë kryebashkiak i Novi Sadit prej vitit 2012 e deri në vitin 2022. Për dhjetë vjet rresht. Kryeministri Kurti njoftonte në statusin e tij se Vuçeviqi ishte zgjedhur në këtë pozitë me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit – të sanksionuarit nga ShBA-ja - dhe mikut të tij të afërt Andrej Vuçiqit – që është i vëllai i Aleksandër Vuçiqit.

Se Vuçeviqi është i afërt me vëllain e presidentit serb e tregonte edhe një profil i KRIK-ut në Serbi. Por, përveç kësaj, aty theksohej edhe pushteti që Vuçeviqi e mbante me një ekip futbollistik, bëhet fjalë për Vojvodinën. Pra, një pushtet që s’i vinte nga ana formale por nga ana informale – nëntoka – e pushtetit.

Vuçeviqi – ashtu si Vuçiqi – bënte pjesë në Partinë Radikale Serbe më herët – ku e kishte edhe babain - përpara se të bartej në partinë që tashmë e drejton. Pra, bindjet e tij që e futën në politikë ishin ato të së djathtës ekstreme. Bindje të forta nacionaliste që shkojnë deri në fashizëm. Dhe atë, sidomos në raport me Kosovën.

Tash, zyrtarisht Vuçeviqi e mbështet hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian ani pse mban qëndrime trazuese sa i përket disa prej politikave evropiane. Për shembull, ai është një kundërshtar i hapur i sanksioneve ndaj Rusisë shkaku i invazionit në Ukrainë.

Sa i përket Kosovës, ai është po aq – në mos edhe më i zi se Vuçiqi. Vuçeviqi ka theksuar se Kosova është ADN-ja shpirtërore dhe shtetformuese e Serbisë, merreni me mend.

Prejardhja e tij – për të cilën ka thënë se është krenar – është nga Mali i Zi. Nga fisi Kuçi. Ende nuk dihet nëse Vuçeviq në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit do të jetë kandidat i SNS-së për kryeministër. Por, dihet që është njeriu kryesor në këtë parti për gjërat e errëta që i vijnë Kosovës. Dhe se me forcimin e Vuçeviqit ato veç sa do të bëhen edhe më të errëta.

Lajme të ngjashme