Kush do t’i ushqejë ushtarët e FSK-së pas 30 shtatorit? - NACIONALE

Kush do t’i ushqejë ushtarët e FSK-së pas 30 shtatorit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kompania e cila aktualisht ka tenderin për ushqim për ushtarët e FSK-së, ka kontratë deri më 30 shtator. Kontrata e re për ushqim nuk është nënshkruar ende. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri Maqedonci. Kush do t’i ushqejë ushtarët e FSK-së?

Dallimet e përplasjet mes ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me vartësin e tij, zv/ministrin Shemsi Syla, duket se e kanë bllokuar nënshkrimin e tenderit për ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së.

Nacionale ka raportuar për këtë skandal i cili u synua të mbulohet duke nënshkruar vendim që ky tender të bëhet konfidencial, pra i fshehur për publikun. E më pas, ministri Maqedonci e anuloi vendimin.

Kompania e re e cila e ka fituar tenderin është Hajdini Company. Megjithatë, tenderi nuk është nënshkruar ende, dhe këtë e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Procesi i tenderit për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës është një proces që nuk ka përfunduar, pra kontrata ende nuk është nënshkruar nga unë, është ende duke u zhvilluar vlerësim si në aspektin procedural dhe në apekte të tjera për këtë tender.” – ka thënë ai në RTK.

Më tej, ai ka njoftuar për idenë e tij që po tenton ta bëjë lidhur me ushqimin për ushtarët e FSK-së.

Ai ka thënë se ka propozuar një koncept të ri por që nuk dihet saktësisht si do të jetë.

“Kurse çka është për t’u theksuar për herë të parë është që unë ka qëndruar një opsion, kam diskutuar me komandatin e FSK-së edhe me sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes që në të ardhmen FSK të ketë një koncept të ri të ushqimit me qëllim që të kemi një garanci për çmim më të lirë, për vetqëndrueshmëri dhe për siguri për këtë shërbime. Do të tentohet aq sa të mundemi të ndërtojmë kapacitete vetanake dhe të mosvarura nga akterët e jashtëm.”

“Është ende në vlerësim në kuadër të kompetencave të mia si ministër i Mbrojtjes.” – ka thënë ndër të tjera ai.

Si rezultat, nëse kontrata nuk është nënshkruar ende me fituesin e tenderit, nuk dihet se kush do t’i ushqejë ushtarët e FSK-së.

Ajo që e bënë këtë skandal edhe më të madh, është tendenca e zv/ministrit Shemsi Syla, që tinëzisht nga ministri Maqedonci, ta bëjë këtë kontratë si konfidenciale.

Gazetari Berat Buzhala nëpërmjet një video-editoriali, bëri të ditur se Syla e kishte nënshkruar këtë vendim përderisa Maqedonci ishte në pushime. Me t’u kthyer, Maqedonci e anuloi vendimin.

Gazeta Nacionale bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike ka kërkuar të dyja vendimet, dhe është në pritje që t’i sigurojë ato. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, rasti do të adresohet në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me kontratë me vlerë 2 milionë e 149 mijë euro Grupin e Operatorëve Ekonomikë: N.T.P “Hajdin Comerce” & Bylmeti-KS për ushqim në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lloji i procedurës që ka ndjekur Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr nga ministri Ejup Maqedonci, është Procedura e Negociuar pa Publikim të Njoftimit për Kontratë.

Sipas dokumenteve që ka parë Nacionale, për këtë tender janë ftuar disa operatorë ekonomikë, por Autoriteti Kontraktues - Ministria e Mbrojtjes - nuk e ka ftuar për ofertim kompaninë “Beni Dona Plast” Sh.P.K nga Prishtina që është duke furnizuar FSK-në dhe kazermat e saj me ushqim.

Më poshtë, mund t’i shiheni operatorët ekonomikë që kanë ofertuar dhe vlerën e ofertës së tyre.

Ndërkaq, dy grupet e operatorëve të tjerë ekonomikë që kanë ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit, njeri është shpallur si i pa suksesshëm për shkak të çmimit të lartë, ndërsa tjetri është eliminuar nën arsyetimin se nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në Dosjen e Tenderit.

Ndërkohë, sipas të dhënave të ARBK-së, kompania liderë që ka fituar këtë tender N.T.P “Hajdini Comerce” aktivitet kryesor të biznesit e ka: 4711 -Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuar, ku mbizotëron ushqimi, pijet dhe duhani. Ndërsa, aktivitet sekondar e ka:

Sipas Dosjes së Tenderit, të publikuar në platformën e-prokurimi Grupi i OE: N.T.P. Hajdini Comerc & Bylmeti-KS do të shërbejnë ushqim për ushtarët e FSK-së në kazermat e saj në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, Pomozotin, Gjakovë, Prizren.

Tutje, Nacionale ka mësuar nga burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes se Sekretari i sapo zgjedhur i kësaj ministrie, Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka kërkuar largimin e kompanisë “Beni Dona Plast” SH.P.K nga tenderi për furnizim me ushqim të FSK-së.

Gazeta ka mësuar se edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka bërë presion dhe ka ndikuar në largimin e kompanisë “Beni Dona Plast” SH.P.K nga tenderi në fjalë.

Nacionale ka kontaktuar me Sekretarin e Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, por ai nuk ka dashur të përgjigjet përmes telefonit. Ai ka kërkuar që pyetjet të dërgohen në adresën e ministrisë.

Po ashtu, Nacionale ka kontaktuar me zyrtarin e MM-së, Muhamet Xhylani, që është Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit ne Ministrinë e Mbrojtjes.

Xhylan nuk u përgjigj në pyetjet përmes telefonit dhe kërkoi që të njëjta të dërgohen në ministri të Mbrojtjes, ani pse Xhylani ka nënshkrimin në dokumentin për dhënien e kontratës.

Çdo gjë që ki pyetje zyrtare, shkoni i bon më shkrim pyetjet përmes zyrës për informim ose personit të caktuar në qasje për dokumenta publike në Ministrinë e Mbrojtjes. Jo nuk mundem se nuk kam të drejtë. Janë zhvilluar procedurat” – ka thënë ai.

Kujtojmë se kontrata 2.1 milionëshe është e vlefshme për gjashtë muaj.

Kontrata do te jete validë deri ne lidhjen e kontratës se re por jo me shume 6 ( gjashte) muaj, mirepo ne rast se AK i MM-se arrin te hyje ne kontratë te rregullt baze atëherë automatikisht kjo kontratë do të ndërpritet.” – thuhet në Dosjen e Tenderit.

Lajme të ngjashme