Kusari-Lila: Zgjedhjet në veri kanë krijuar një realitet të ri
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve në veri ka krijuar një realitet të ri në atë pjesë të vendit.
Ai ka pranuar se do të jetë një sfidë ushtrimi i detyrave nga kryetarët e rinj.
“Tash është një realitet i ri, i cili do të kërkojë shumë më tepër angazhim për të funksionalizuar dhe natyrisht pasur edhe një mbarëvajtje të ushtrimit të detyrave të marra nga të zgjedhurit në katër komuna dhe dy asambletë komunale. Kjo do të jetë një sfidë e radhës, por gjithashtu edhe një ekspozim më i madh i destruktivitetit të Serbisë ndaj pretendimeve të tyre për Kosovën. Është vendi i vetëm në Evropë që sillet ndaj komunitetit të vet në mënyrë kaq të vrazhdë, duke dashur t’i përdorë ata si vegël e vazhdueshme për pozitën e tyre në raport me Kosovën”, ka thënë Kusari-Lila për KosovaPress.
Ajo ka fajësuar Serbinë për mosrespektim të marrëveshjes së Ohrit.
Sipas saj, BE-ja duhet të reagoj ndaj dy shkeljeve flagrante që Serbia ia ka bërë këtyre marrëveshje.
“Serbia po tregon vazhdimisht hezitim për zbatim të marrëveshjes, madje edhe shkelje të vazhdueshme të saj. Kemi parë dy shkelje flagrante të fundit, ajo e interferimit të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në katër komunat veriore, por edhe votimi kundër në fazën e parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Këto të dyja janë shkelje në kundërshti të plotë me të gjitha parimet dhe frymën e marrëveshjes së dakorduar së fundmi”, është shprehur ajo.
Ajo ka shprehur dyshime që edhe në të ardhmen shteti serb nuk do ta respekton këtë marrëveshje.
“Tani të ndërtohen pritje të reja me të njëjtin aktorët dhe palë de-konstruktive është shumë e vështirë. Moszbatimi i pikave të marrëveshjeve nga ana e Serbisë mbetet të tregohet me pasoja për Serbinë, qoftë në procesin e integrimit evropian, apo edhe në fondet e para anëtarësimit që janë të dedikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur deputetja e VV-së.