Kusari-Lila: Asociacioni nuk mund ta bëhet pa Qeverinë, s’kemi përplasje me SHBA-në
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Asociacionin dhe se mund të ketë vetëm ndryshim të mendimeve në raport më këto tema.
“Qeveria e Kosovës nuk ka përplasje me SHBA-në, mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin e dialogut dhe Asociacionin. Ambasada e SHBA-së ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta që mendojnë se mund të kontribuojnë për çështjen e Asociacionit dhe partive opozitare dhe shoqërisë civile.” – ka thënë Kusari-Lila pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo ka treguar se në çfarë fryme do të mbahet takimi i 31 janarit në ambasadën amerikanë ku pritet të diskutohet për Asociacionin.
“Mendoj që koordinohemi por e kem të drejtën tonë dhe mbetet primare trajtimi i të drejtave të komuniteteve, plani i Ahtisarit është nga palët më të avancuara në raport me të drejtat e komuniteteve, prandaj në kontekstin e asaj se si do të zbatohet ky plan ne do të diskutojmë, si shoqëri jemi të interesuar që të vazhdojmë diskutimin dhe e shohim të vetmen formë të avancimit të mëtutjeshëm dialogun dhe mendoj se edhe diskutimi i nesërm është në këtë frymë.” – ka thënë ajo.
Më tej, Kusari-Lila ka thënë se Asociacioni nuk mund të bëhet nga dikush tjetër, duke nënkuptuar që nuk mund ta bëjnë amerikanët.
“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër, në Kosovë janë organet vendimmarrëse, është Kuvendi, Qeveria dhe Komunat me qeverisje lokale, prandaj nuk ka formë ose mekanizëm tjetër që dikush jashtë këtyre institucioneve mund të themeloj, ekzistojnë nisma qytetarë apo të organizatave por në aspektin ligjor janë këto institucionet.” – ka thënë Kusari-Lila.
Kujtojmë se nesër më 31 janar do të mbahet një takim në ambasadën amerikane ku do të diskutohet për themelimin e Asociacionit.
