Kurti kërkon dorëzimin e Radoiçiqit, thotë se ShBA-ja e BE-ja “shqetësohen tepër” për veprimet në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë tri intervista për tri media të ndryshme ndërkombëtare, ku foli për shume tema, përfshirë marrëdhënie me Serbinë e gjepolitikën globale. Në fakt, Kurti dërgoi edhe një mesazh të qartë, duke e ndërlidhur rikthimin në dialog me dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë. Çka tha Kurti?
Në një intervistën për BNN Bloomberg, Kurti e vendosi një kusht për rikthimin në dialog, që lehtësohet nga Brukseli. Kurti tha se për t’u kthyer në dialog, Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin. Siç citohet në shkrim, Kurti ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e Radoiçiqit, i akuzuar nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, për t’u ritkhyer në dialog.
Kurti “i kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan BNB Bloomberg, transmeton Nacionale.
"Do të duhej të kishte ndodhur dje. Unë besoj se është e mundshme” – tha Kurti.
Në këtë intervistë, Kurti ka folur edhe për reagimet e ndërkombëtarëve në veriun e Kosovës. “BNN Bloomberg” ka shkruar se “lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan”.
Sipas Kurtit, ndërkombëtarët “po shqetësohen tepër shumë”.
“Ata shqetësohen tepër shumë” – i tha Kurti mediumit “Bloomberg” në një intervistë në Varshavë të Polonisë të mërkurën.
“Çdo herë që ne marrim veprime, ka zëra alarmues në lidhje me eskalimin e mundshëm, por ja ku jemi – Kosova është më mirë se çdo herë përpara” – citohet të ketë thënë Kurti.
Ndërsa në intervistën për mediumin e njohur “Associated Press”, Kurti e zgjeroi hartën e analizës, duke e përfshirë edhe Rusinë. Madje, për një moment, Kurti e luajti rolin e një ekspertit të gjeopolitikës, sikurse të ishte John Mearshimer, akademik i njohur i realizmit ofensiv.
“Presidenti despotik Putin do të inkurajohej të vazhdonte më tej me përpjekjet e tij për destabilizimin, aq më tepër nëse ndihet i suksesshëm në Ukrainë. Unë me të vërtetë nuk dua të besoj se ai mund të fitojë teorikisht” – ka thënë Kurti.
Madje, Kurti foli edhe se çfarë do të thoshte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia e fiton luftën në Ukrain, duke theksuar se “me Serbinë si një hegjemon rajonal dhe përfaqësues rus, këto 25 vite paqeje, lirie dhe demokracie në Ballkan, të paprecedentë në histori, janë sërish në rrezik”.
Kësaj teme, Kurti nuk iu nda as në një intervistë për një medium të Polonisë, ku kryeministri kosovar qëndroi për disa ditë.
“Sfida kryesore është fakti që Beogradi asnjëherë nuk e ka emancipuar veten nga Millosheviqi, nga krimet e kryera nga Millosheviqi. Ata konsiderojnë që Millosheviqi ka bërë gabime, e jo krime. Në anën tjetër, ata refuzojnë të emancipojnë veten nga Putini. Kështu, Serbia është i vetmi vend në Evropë, bashkë me Bjellorusinë, që nuk i është bashkuar BE-së dhe ShBA-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Pra mungesa e introspeksionit për atë çfarë kanë bërë një çerek shekulli më parë dhe mosdistancimi nga Kremlini, besoj janë elementet kyçe të këtij tensioni të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – tha ai.