Kurti: Vuçiqi përmes Radojiçiqit ndërhyri në zgjedhje duke ndihmuar Listën Serbe - NACIONALE

Kurti: Vuçiqi përmes Radojiçiqit ndërhyri në zgjedhje duke ndihmuar Listën Serbe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se ka pasur ndikim nga Serbia për zgjedhjet në Kosovë.

Kurti para mediave ka thënë se shumë përfaqësues të partive serbe në Kosovë janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Sipas tij, kjo ka ndodhur në katër komunat veriore, si dhe në gjashtë komuna të tjera me shumicë serbe, duke theksuar se kanë dëshmi, por nuk do t’i publikojnë.

Përfaqësues të caktuar, pothuajse nga të gjitha partitë serbe, janë tërhequr pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar në katër komunat veriore dhe në gjashtë komuna të tjera me shumicë serbe në Kosovë. Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi, por për hir të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk është e dobishme t’i bëjmë publike.” – ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se deri tani janë identifikuar disa instanca që kanë ndërmarrë këto veprime, duke përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vučić, kryeterroristin Milan Radojićiq, Petar Petkoviq, BIA-n dhe të tjerë.

Në këtë skenë të ndërhyrjes kemi identifikuar shtatë instanca, apo aktorë shtetërorë dhe jo shtetërorë të Serbisë. I pari është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i dyti është kryeterroristi Milan Radojićiq, i treti është drejtori i ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë, BIA, mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd, Lista Serbe, dhe së fundmi edhe struktura ilegale, përfshirë këtu edhe bankën postare kursimtare, qendrat kursimtare, Posta e Serbisë, si dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.” – ka thënë Kurti në konferencën për media.

Ndër të tjera, i pari i Qeverisë ka treguar se janë përdorur dhjetëra metoda për të pasur ndikim tek qytetarët, duke përfshirë edhe joshjen materiale.

Kurti tha se “vetë presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e joshtetëror serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës”.

Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Milan Radoiçiq apo njeriu që i ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë.” - tha ai.

Lajme të ngjashme