Kurti thotë se e kundërshtoi kërkesën e Escobarit për zhvendosjen e kryetarëve nga komunat veriore
Në një intervistë për prestigjozen britanike "The Guardian", Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar për dhunën në veri të vendit “turmat fashiste” të kontrolluara nga qeveria e Serbisë dhe tha se ai kishte refuzuar një kërkesë të SHBA-së për të zhvendosur kryetarët e komunave të instaluar së fundmi nga zyrat e tyre zyrtare.
Lidhur me situatën e kritjuar, kryeministri Kurti i ka thënë mediumit britanez kishte folur me Gabriel Escobar, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin.
Ai tha se Escobar kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose t'i bënin ata të punojnë nga shtëpia, një kërkesë që ai e kishte refuzuar.
“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom [platformë e thirrjeve online], ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste” - ka thënë ai.
Kurti këmbënguli se kryetarët e rinj do të vazhdojnë të punojnë nga zyrat komunale.
“Këta janë kryetarë administrativë, teknikë që janë të domosdoshëm për funksionimin normal të komunave… Unë e pranoj se legjitimiteti politik i këtyre kryetarëve është i ulët, por legjitimiteti i të tjerëve është zero”, tha ai.