Kurti thoshte se "është e mundshme që tërë jetën" e kalon në politikë - NACIONALE

Kurti thoshte se "është e mundshme që tërë jetën" e kalon në politikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është 48-vjeçar me – folur figurshëm – 50 vjet përvojë pune. Folur saktë, ai është pjesë e angazhimit publik të paktën prej vitit 1998, ose tash e 25-vjet. Në një intervistë ai është pyetur edhe nëse do të tërhiqej nga politika, dhe përgjigja është... e mirë nëse jeni përkrahës i VV-së dhe e keqe në rast se nuk jeni.

Në intervistën e dhënë më moti për Kosovo 2.0, Kurti ia doli mbanë të shprehej paksa më çlirshëm edhe në lidhje me karrierën e tij politike.

Ishte tetori i vitit 2017. Kurti nuk ishte kryetar i Vetëvendosjes. Ishte Visar Ymeri. Megjithatë, Kurti ishte ‘kryetari i vërtetë’ i Vetëvendosjes, ani pse nuk e thoshte një gjë të tillë. Në atë kohë, ishim në prag të daljeve të mëdha nga partia e Kurtit. Vetë kryetari do të largohej, e me të edhe disa nga aktivistët më të shquar.

Shumë prej tyre e protestonin pikërisht kultin e personalitetit të Kurtit. Dolën më vonë edhe disa parulla ku thuhej “S’ka babë, ka ide!”

Megjithatë, a e shihte ‘baba’ fundin e tij.

Gazetari në një moment e pyeti Kurtin nëse mendonte ndonjëherë për tërheqjen e tij nga politika. Dhe kjo çoi në një bashkëbisedim disi të tensionuar.

“Qysh i përjetshëm?” – e kundërpyet gazetarin kur e pyet nëse ndihet i përjetshëm në partinë e tij.

Më pas, ai e pranon se mund të rrijë gjithë jetën e tij në politikë – nëse vendos anëtarësia e partisë. Dhe, pretendon që nuk do të vendoste për veten e tij në mënyrë individuale.

Fragmenti:

“Gazetari: Por, po flasim këtu për një vendim qe ju takon edhe juve. Pra, pyetja konkrete është se çka do të ju bënte juve të mendoni të tërhiqeshit nga politika?

Kurti: Kjo është tërësisht çështje e anëtarësisë së Vetëvendosjes dhe e organeve të Vetëvendosjes. A po kupton?

Gazetari: A nuk është çështje individuale po ashtu?

Kurti: Unë me pantollona ‘slim fit’ nuk jam fare rehat, por nëse shefi i shtabit më thotë duhet të vishesh me xhaketë, me pantollona të kaltëra dhe me këtë kravatë, unë s’kam tjetër përpos t’i bindem.

Gazetari: Kjo kuptohet derisa ushtroni aktivitetin politik. Por unë jam duke ju pyetur për momentumin politik që do të ju bënte të tërhiqeshit nga politika pas gjithë këtyre viteve në politikë?

Kurti: Mos më keqkupto por nuk je duke më kuptuar. Nuk jam unë ashtu vet. Nuk e mendoj veten vet. Ti je duke menduar qe unë e mendoj veten si Albin. Unë nuk e mendoj. Tash e 12 vjet jam në Lëvizjen Vetëvendosje e më parë me organizime.

Gazetari: A ndiheni i përjetshëm në Vetëvendosje?

Kurti: Qysh i përjetshëm?

Gazetari: Mendoj, nëse anëtarësia vendos t’ju lërë gjithë jetën në politikë?

Kurti: Po, është e mundshme. Shumë e mundshme është që tërë jetën do ta kaloj në Vetëvendosje nëpër detyra që m’i ndajnë.

Gazetari: Pra, nëse tash po ju kuptoj drejt, ju po e përjashtoni veten që të vetëvendosni për veten tuaj?

Kurti: Po, ashtu. Tamam ashtu. Vetëvendosjen nuk e kuptoj individualisht. Domethënia e Vetëvendosjes nuk është ai aspekti individual personal. A din ku jam ashtu vetëvendosës? Jam në shijet e mia, në preferencat kulturoro-artistike të mia dhe në jetën time personale dhe private...”

Lexo intervistën e plotë duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme