Kurti tha se e lexoi propozimin franko-gjerman në iPad-in e Lajçakut, Osmani thotë se “morëm 4-5 faqe të printuara” - NACIONALE

Kurti tha se e lexoi propozimin franko-gjerman në iPad-in e Lajçakut, Osmani thotë se “morëm 4-5 faqe të printuara”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se propozimin franko-gjerman, apo siç njihet tani, evropian, e ka pranuar në katër apo pesë faqe të printuara.

Në një intervistë për mediumin austriak, “Profil”, Osmani ka thënë se për disa, i njëjti mund të jetë vetëm një pjesë letre, por se dokumenti në fakt, ka të bëjë “me të ardhmen e fëmijëve tanë”.

“E kemi pranuar propozimin në formë të printuar. Ka katër apo pesë faqe. Për disa, mund të jetë vetëm një pjesë letre. Por kjo është e ardhmja e fëmijëve tanë. Ne duam që ata të rriten në një Kosovë ku nuk kalojnë nëpër çfarë kemi kaluar ne. për këtë arsye, duhet të jemi tepër të kujdesshëm kur vjen te ky propozim.” – ka thënë ajo.

Në pjesën tjetër të kësaj përgjigje, duket se Osmani ka goditur Bashkimin Evropian, duke konsideruar se kanë përdorur një “gjuhë të paqartë”.

“Ajo që i ofrohet Serbisë në këmbim të kësaj njohjeje de facto është edhe më pak e qëndrueshme. Propozimi flet për “vetëqeverisje të serbëve”. Nëse ulem me tre avokatë, do të marr të paktën dhjetë mendime të ndryshme se çfarë do të thotë kjo në praktikë. BE-së i pëlqen të përdorë një gjuhë të paqartë në mënyrë që të dyja palët të mund t'i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç e shohin të arsyeshme. Duhet ta lëmë pas këtë strategji. Sepse ne jemi ata që duhet të jetojmë me pasojat.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, ditë më parë kryeministri Albin Kurti në një intervistë për RTK2, tha se nuk ka pasur asnjë dokument me shkrim për këtë gjë.

“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Lajme të ngjashme