Kurti takon katër gazetarët afganë të ardhur në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim katër gazetarët afganë që kanë mbërritur mbrëmë në Kosovë e që do të qëndrojnë në Prishtinë.
Kurti u shpreh se populli i Kosovës bashkëndjen me kauzën e tyre dhe të popullit afgan për demokraci, respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe prosperitet.
“Amina, në emër të grupit të gazetarëve, tha se janë falënderues për mikpritjen në Kosovë dhe për mbështetjen e Qeverisë. Pas vështirësive të përjetuara në Afganistan, u shpreh se janë me fat që janë këtu dhe se tashmë po ndjehen si në shtëpi. Kryeministri dhe gazetarët biseduan për aktualitetin në Afganistan, pozitën e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut atje, e veçanërisht të grave dhe vajzave nën regjimin taliban.” – thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Qeveria e Kosovës do të ju mundësoj gazetarëve afgan strehimin, pagën mujore, sigurimin shëndetësor dhe biletën e kthimit.
“Gazetarët afganë u mirëpritën në vendin tonë një muaj pas vendimit të Qeverisë që do t’u mundësojë atyre strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.” – thuhet tutje në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
