Kurti takohet me përfaqësuesit e koalicionit VLEN, flasin për ndikimin serb dhe rus
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në vizitë miqësore udhëheqësit e koalicionit VLEN të partive shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi.
Në këtë takim Kurti ka përgëzuar udhëheqësit e VLEN për rezultatin zgjedhor, duke shtuar se është hera e parë që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100,000 vota.
“Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme. Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale. Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor.” – thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit thuhet se takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit europian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike.