Kurti s’tregon se në çfarë cilësie e mori Mihalin në takim në Tiranë: Është bashkëpunëtore e imja, ka vlerë - NACIONALE

Kurti s’tregon se në çfarë cilësie e mori Mihalin në takim në Tiranë: Është bashkëpunëtore e imja, ka vlerë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para disa ditësh ishte për vizitë në Tiranë dhe mes disa të pranishmëve, në vizitën te kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, ishte edhe një personazh tashmë i njohur në Vetëvendosje, Dejona Mihali. Çka tha kryeministri në deklarimin e parë për këtë figurë të partisë së tij?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës i shtroi kryeministrit Kurti një pyetje në lidhje me prezencën e Mihalit në një prej takimeve në Tiranë.

“Për çka ishte, në çfarë cilësie?” - ishte pyetja që iu bë atij.

Kurti megjithatë, nuk tregon

Kryeministri nuk është përgjigjur në pyetjen e deputetes Musliu, megjithatë, për Mihalin pati fjalët më të mira.

“Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kahmotshme, ka vlerë të shtuar në rolin e saj edhe si drejtuese e Komiteteve profesionale dhe punës që bën me Kuvend për koordinimin me Grupin Parlamentar për nga fusha profesionale.” – tha ai.

Vizitën e saj, e arsyetoi si vijon: “Nuk ka qenë pjesë e takimeve me presidentin Begaj e kryeministrin Rama, vetëm me kryearen Nikolla, veçanërisht për shkak të karakterit të saj me parlamentin”.

Megjithatë, deputete Musliu sërish ka insistuar të marrë përgjigje, duke thënë se pjesëmarrja e saj është shkelje e protokollit shtetëror.

“Së pari më lejoni deputetja Musliu që t’iu falenderohem për këtë kompliment, pas dy vite qeverisje demokratike, progresiste, shikoni se çfarë pyetje më bëni mu. Ka ngel puna që të më kapeni për Dejona Mihalin. Kjo është kompliment për qeverisjen tonë.” – tha kryeministri Kurti.

Tutje, kryeministri ka ironizuar, duke thënë se “mënyra se si u shtrua pyetja, dikush mund të mendojë se Mihali vjen nga Beogradi”.

“Gjithçka ka shkuar aq mirë e bukur, paska ngelur problemi me Dejona Mihalit. Këtë do t’ua sqaroj edhe votusve tuaj, mbështetsve tuaj, ajo është nga Tirana, mënyra qysh po e shtroni pyetjen, mos po menon najkush që është nga Beogradi. Unë kam qenë në Tiranë, Dejona Mihali është Tiranëse.” – tha shefi i Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, gjatë muajve të fundit, emri i Mihali është bërë më i njohur publikisht, posaçërisht pas akuzës së deputetit Abazi se ia ndaloi fjalën në Kuvendin e Kosovës.

“Zonja Mihaili nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme për zgjedhjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por, është njeriu kryesor që kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarrjet që bëhen aty.” - kishte thënë Abazi.

Për këto akuza, zyrtarja e VV-së ishte deklaruar shkurtimisht.

“Jo, nuk i kam parë deklaratat, jam në një takim për momentin, kështu që juve punë të mbarë” - ishte përgjigjur Mihali.

Lajme të ngjashme