Kurti sot u shfaq si viktimë në gjykatë, por “harron” se dikur eksponentë të VV-së kërcënonin me vrasje Thaçin e Veselin - NACIONALE

Kurti sot u shfaq si viktimë në gjykatë, por “harron” se dikur eksponentë të VV-së kërcënonin me vrasje Thaçin e Veselin

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë, Albin Kuti, sot është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë në cilësinë e dëshmitarit, në rastin e kanosjes ndaj tij. I pari i VV-së para gjykatës është shfaqur si viktimë ndaj kërcënimeve të dy personave, të cilët para gjykatës kanë mohuar se e kanë kërcënuar atë.

Duke u shfaqur i rrethuar me truproja në sallën e gjyqit, Kurti duket se ka harruar kërcënimet me vrasje që dikur ua bënin njerëzit e VV-së liderëve politikë.

Ndonëse ato kërcënime ishin shumë më direkte se këto që i ka marrë Kurti, prokuroria nuk kishte ndërmerr asnjë veprim ndaj kërcënuesve.

Madje, kryetari i VV-së kurrë nuk ishte distancuar nga kërcënimet e atyre zyrtarëve.

Ndër kërcënimet më të ashpra ishte ai Alban Krasniqit, bashkëshortit të Albulena Haxhiut ndaj Kadri Veselit.

Krasniqi, i cili sot e mban pozitën e anëtarit të VV-së në KQZ, më 27 shkurt 2016, kishte bërë thirrje për vrasjen e ish-kryetarit e PDK-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi kishte shkruar “pastë dorën e mbarë ai që të marr në shenjë”.

Kadri Veseli duke keqpërdorë ditët e fundit të Bacës Adem, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kadri, ti kurrë nuk mund të fshehësh kriminalitetin tënd përmes abuzimit me figurën e Adem Demaçit. Kadri, të vjen radha edhe ty … shumë shpejtë, s`ka milici që të mbronë nga populli i revoltuar. Pastë dorën e marë ai që të marrtë në shenjë”, kishte shkruar Krasniqi.

Edhe më i ashpër, kishte qenë edhe ish-aktivisti i VV-së, Rron Gjinovci.

Në prill të vitit 2013, Gjinovci kishte shkruar se vrasja e Hashim Thaçit, që ajo kohe ishte kryeministër i Kosovës, nuk ishte krim.

Me e vra Hashin Thaçin sot, nuk është krim, është akt çlirimi”, kishte shkruar Gjinovci.

Ndonëse statuset e Alban Krasniqit dhe Rron Gjinovcit ndaj Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit ishte kërcënime direkte, prokuroria e Kosovës nuk i kishte ngritur aktakuzë asnjëherë.

Këto kërcënime sot VV-së dhe Kurtit ia ka rikujtuar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se VV-ja duhet ta dijë sa kërcënime u kanë bërë të tjerëve.

Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale. Ai, që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen”, ka shkruar ajo.

Albin Kurti sot është paraqitur në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit, pasi ish-kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku është akuzuar për kanosje ndaj Kurtit.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale “Facebook”, Klinaku kishte shkruar “më para e vras Albin Kurtin se që largohem prej Kosovës”.

Për këtë status, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Klinakut.

Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social Facebook, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Lajme të ngjashme