Kurti s’jep shenja të ketë pranuar propozimet e Escobar-it për dinarin, shkruan shkurt në “X”
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në platformën “X” për takimin me emisarin special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Amerikani tha se i ka dhënë disa propozime Kurtit për atë se si duhet të veprohet në lidhje me çështjen e dinarit, që për aleatin krysor të Kosovës tashmë është një “çështje emergjente humanitare”. Madje Escobar tha se Kurti është shprehur i gatshëm të shqyrtoj propozimet.
Por, Kurti shkroi krejt shkurt në “X”. Ai as nuk përmendi propozimet e amerikanit, e as nuk dha ndonjë detaj nga takimi.
“E kam falënderuar për mbështetjen e SHBA-së dhe kam theksuar nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. Po ashtu e kam informuar për hapat që Qeveria jonë ka marrë në mbështetje të tranzicionit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”, ka shkruar Kurti.