Kurti sillet e pështillet: “Suksesi im janë 100 mijë xhirollogaritë bankare për gratë” - NACIONALE

Kurti sillet e pështillet: “Suksesi im janë 100 mijë xhirollogaritë bankare për gratë”

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Kryeministri në largim, Albin Kurti nuk e ka lënë Ditën e Sivjetme të Gruas që t’i ikë pa bërë kapardisje e mburrje. Megjithatë, takëmi i të arriturave të tij ishte aq i thatë sa u lexua për dy-tre minuta. Ashtu si viteve të kaluara, Kurti e quajti sukses që 100 mijë gra për herë të parë kanë hapur xhirollogari bankare ashtu që të marrin shtesa për fëmijët e tyre. Por, për këtë të ‘arritur’ më së shumti bankat duhet t’i kenë fërkuar duart prej kënaqësisë, tekqë vetëm nga kostoja për mirëmbajtje xhirollogarish ato mund të përfitojnë nga 100 deri në 200 mijë euro. Edhe pse bën çmos që ta shtyjë përpara imazhin e saj si e majtë ideologjikisht dhe qeveri që ekzekuton drejtësi e barazi sociale, Vetëvendosja është ngulfatur, pavetëdijshëm, nga nocione thjesht kapitaliste të lumturisë. Siç paraqitet në posterët-afishe të saj, gratë me buzëqeshjen vesh më vesh në vend të çantave kanë kartela bankare dhe po ngarendin drejt qendrave të mëdha të mallrave. Ky është, në fakt, konsumerizëm i kulluar, filozofia e të cilit thotë se blerjet e konsumi janë dopamina e lumturisë. Njashtu, kjo logjikë konsumeriste bëhet bashkë me kulturën e sadakes (lëmoshes), të cilën qeveria e Kurtit e ka zyrtarizuar në rang të politikes ekonomike.

Col Mehmeti

Hapja e xhirollogarive bankare tash e dy vjet trumpetohet si alamet arritje e Vetëvendosjes.

Në dhjetor të 2023-s, kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar për 90 mijë xhirollogari të hapura për herë të parë për gratë.

Sot, ai e ka përditësuar shifrën duke ia shtuar edhe 10 mijë të tjera.

“Rreth 100 mijë gra gjithsejt, me rastin e shtesave për fëmijë, kanë hapur xhirollogari për herë të parë”, ka thënë kryeministri në largim.


Këtë ‘sukses’ ai e ka valëvitur me rastin e një shënimi për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të organizuar nga Rrjeti i Grave.


Imazhi konsumerist që e afishon qeveria e ‘majtë’

Më 18 dhjetor 2023, Lëvizja Vetëvendosje e pat cilësuar si sukses të madh që “për shkak të masave mbështetëse, 90 mijë gra kanë hapur për herë të parë xhirollogari bankare”.

Ky njoftim ishte bashkëshoqëruar me një dizajn ilustrues që sakaq u bë përrallë në vete.


Aty paraqitej një grua e cila, në vend të çantës, mban një kartelë bankare.

Që mesazhi të përfuqizohej te audienca, propaganda partiake e paraqiti po këtë grua shend e verë e me buzëqeshje vesh m’vesh, shprehje kjo e një lumturie të parrëfyeshme jetësore.

Megjithë mantrën ligjërimore të Vetëvendosjes, që strumbullohet rreth besimeve të majta, gruaja e posterit sikur fshihte në vetëvete një kundërthënie groteske.

Duke i harruar për një çast kritikat ontologjike për sistemin kapitalist që paraqitet si i bërë mbrapsht dhe shfrytëzues per se, gruaja në afishin-poster shpalosej pikërisht si një konsumeriste e lumtur që mësyn qendrat tregtare.

Hesapi iu del mirë bankave komerciale

Sidoqoftë, problemi me xhirollogaritë e hapura për herë të parë as nuk fillon e as nuk mbaron me një afish thjesht propagande.

Në një copëz gazetareske, NACIONALE asokohe kishte bërë një zhbirim në terma ekonomikë nëse hapja e xhirollogarive mund të përkthehet si mirëqenie për gratë.

Ashtu që të realizoheshin shtesat për fëmijët, sipas guvernës, ishte vendosur që nënave t’iu shpërndaheshin këto shtesa dhe jo baballarëve.

Por, përfitimi kryesor nga kjo shpërndarje e shtesave ishte pikësëpari te bankat komerciale.

Në shtjellimin e asokohshëm, kur bëhej fjalë vetëm për 90 mijë xhirollogari të reja, nëse mirëmbajtja për xhirollogari kushtonte 1 euro, atëherë fitimi për to ishte 90 mijë euro gjithsejt.

Por, nëse mirëmbajtja mujore kushtonte 2 euro, atëherë prej 90 mijë xhirollogarive bankat do të përfitonin 180 mijë euro në muaj.

Aritmetika tani ka ndryshuar disi.

Kur bëhen hesapet me kriteret e njëjta, pra nëse mirëmbajtja e xhirollogarive kushton 1 euro, atëherë bankat në vend përfitojnë plot 100 mijë euro.

Por nëse mirëmbajtja kushton 2 euro, atëherë hesapi i tyre nga këto xhirollogari del 200 mijë euro.

Sadaka shtetërore për fëmijë

Në Kosovë, sipas skemës së re për Shtesat për Fëmijë të shpalosur në korrik të vitit të kaluar, për fëmijën e parë dhe të dytë shtesat janë 20 euro në muaj secili.

Po sipas të njejtit vendim, familjet që kanë tre fëmijë ose më shumë, shtesat janë nga 30 euro në muaj për secilin fëmijë.

Nga kjo skemë përfitimesh ishte thënë se përfitojnë mbi 400 mijë fëmijë në një kosto të gjithëmbarshme prej 120 milionë eurosh.

Lajme të ngjashme