Kurti shkruan për gjithçka, por jo për arrestimin e dy spiunëve: Pse po hesht kryeministri?
Kanë kaluar dy ditë që Kosova është tronditur nga arrestimi i dy shqiptarëve të Kosovës, të cilët dyshohen për spiunë të BIA-së serbe dhe Qeveria e Kosovës ka heshtur.
Asnjë fjalë për këtë çështje nuk e ka thënë as kryeministri Albin Kurti. Ndonëse gjatë kësaj kohe ka dhënë dy intervista televizive, ka realizuar takime të ndryshme dhe ka shkruar disa statuse në “Facebook”, ai nuk e ka parë të arsyeshme komentimin kësaj ngjarje të pazakontë, raporton Nacionale.
Për arrestimin e Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët dyshohen se planifikonin ndryshimin e narratives së luftës se UÇK-së, nuk ka folur as ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky i fundit gjendet për vizitë zyrtare në Itali.
Heshtjen për këtë çështje e kanë zgjedhur dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Rreth çështjes në fjalë deri me tani janë deklaruar vetëm organet e rendit dhe të drejtësisë.
Gjykata Themelore e Prishtinës dje ka caktuar 30 ditë paraburgim për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimit.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, është thënë në komunikatën për media të gjykate, duke shtuar se nëse të dyshuarit mbesin në liri ekziston rreziku i ikjes.
“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes, po ashtu gjykata vlerësoj se nëse të pandehurit do të jenë në liri mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale”, është thënë në komunikatë.
Në anën tjetër, para se të merrej ky vendim, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Besnik Berisha, avokat i të dyshuarit Bedri Shabani, ka folur para gazetarëve.
Berisha ka thënë se në seancën e sotme, Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë rast.
“Përfunduam seancën dëgjimore për dy qytetarë të cilët pandehen për spiunazh ndaj shtetit për interes të Serbisë. Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pat mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkriptt të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Parandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim. Është hetim që ka filluar që 8 muaj, dhe është rezultat që nuk ka prodhuar asgjë, vetëm ka sjellur dy emra familjet e të cilave rrezikohen”, ka thënë avokati Berisha, raporton Nacionale.
Bedri Shabani, dëshmitar i Speciales
Avokati Besnik Berisha ka bërë me dije se klienti i tij Bedri Shabani është dëshmitar i Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje tjera.
“Është histori e njohur, nuk i ikë. Është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë. Nuk është rast konfidencial, sepse nuk do e zbuloja këtu. Ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij. Sipas tij është dëshmitar në Prokurori, nuk e di për cilin rast sepse janë disa raste. Ka refuzu që të kishte masa mbrojtëse”, ka thënë Berisha më tutje.
Berisha ka bërë të ditur se klienti i tij i ka dajtë në Sarajevë, dhe që ka pirë kafe në Shtërpcë. Por, që nuk ka prova se ai merret me spiunazh.
“Këto nuk lidhen me klientin tonë. Bedri Shabani është prind i kolegut të juaj e kolegut tonë, është prind i gjashtë fëmijëve, qytetar i ndershëm dhe përgjegjshëm. Ka rezultu që t’i ketë dajtë në Sarajevë, e ka rezultu që ka shku nëpër Serbi. Ka rezultu që ka shku me pi kafe në Shtërpcë me komunitetin serb, mbase ndonjë nga ta ka qenë spiun apo i shërbimit, apo kurrë Bedriu nuk ka pasur asi qasje, fakt apo provë që do t’i hynte në punë shërbimit e ta cenonte sigurinë kombëtare. Te Bedriu nuk është gjetur diçka e paligjshme”, ka thënë Besnik Berisha.
Ai akuzoi Prokurorinë për spektakël.
“Është rasti i parë në historinë e drejtësisë që Prokuroria dorëzon kërkesë për masë paraburgimi dhe nuk e sjell asnjë fjalë apo fjali si fakt inkriminues. Prokuroria ka thënë se këta dyshohen për spiunazh dhe duhet të mbahen në paraburgim se do të ndikojnë në hetim. Prokurori spektakël ka manifestu. I thashë urdhëro nxjerre një fjalë apo fjali që Bedriun e bën spiun, atëherë ky do të kërkojë falje. Prokuroria rastin e Bedriut, ka dështuar, e ky është persekutu”, është shprehur Berisha.