Kurti “rrugëve” të ishullit grek: Nga VV mezi e konfirmojnë që s’ndodhet në Kosovë, “fajësojnë” ish-opozitën
U deshën të kalonin dy ditë, dhe të vazhdojë seanca konstituive që të konfirmohet se kryeministri në largim, Albin Kurti, nuk ndodhet në Kosovë. Këto ditë, ai po qëndron në ishullin Skiathos të Greqisë, në Simpoziumin e Symit.
Në fillim të javës, media të ndryshme vendore raportuan me burime se Kurti ndodhet në Greqi, ani se nuk pati asnjë njoftim nga zyra e tij.
Më pas, disa fotografi të publikuara nga disa llogari në rrjetin social “X”, e treguan kryeministrin në largim me një veshje joformale, duke qëndruar me disa persona të tjerë.
At Symi Symposium #Skiathos : USG Miguel Moratinos stresses in the session on “Navigating Multipolarity& Rethinking Multilateralism in a Fragmented World”:
— Nihal Saad (@nsaad777) July 16, 2025
*UNAOC turned 20 & is ready to start its 3rd decade, confidently & resolutely@MiguelMoratinos @UNAOC #SymiSymposium pic.twitter.com/FfyNGBhkzB
Një ditë më vonë, të enjten, para fillimit të seancës konstituive, ish-shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, u pyet për vendodhjen e Kurtit dhe mbi mungesën e tij të mundshme.
“Mbetet të shihet, nuk kemi informacion zyrtar se ai do të mungojë,” – tha ajo.
Seanca vazhdoi, zgjedhja e Albulena Haxhiut dhe votimi i fshehtë dështoi për herën e 48-të, ndërsa ish-opozita qëndroi në sallë. Mungesën e deputetit Kurti, e cilësuan si “pushim” të tij.
“AAK-ja e ka kandidatin, por sot paska shkuar në pushime në Greqi, Albin Kurti, dhe është e pamundur...” – tha të enjten me ironi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, derisa po mbante fjalim në Kuvend.
Vizitën e tij në Greqi e konfirmoi pikërisht Haxhiu, e cila, duke dalë nga objekti i Kuvendit, tha se Kurti ndodhet atje për të mirën e Kosovës.
Madje, ajo fajësoi “opozitën” për mungesën e tij. Sipas saj, nuk kanë marrë sinjal se do të ketë ndryshim qëndrimesh dhe se në të kundërtën, Kurti do të ndodhej në Kosovë.
“Deputeti Kurti, kryeministri në detyrë, kryetari i VV-së, ka qenë i pranishëm në secilën seancë, kjo është e dyta kur ka munguar, ne nuk kemi pasur asnjë sinjal se opozita do të ndryshojë qëndrim, atëherë s’kemi pasur sinjale, andaj Kurti do të jetë në seancën e ardhshme. Sigurisht që pjesëmarrja e tij atje është e rëndësishme për Republikën e Kosovës, në një vend që s’e ka njohur Kosovën. Po të na jepte sinjale opozita, do ta kishim kryeministrin Kurti,” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Siç thuhet në faqen zyrtare, “Simpoziumi i Symit bashkon liderë globalë të mendimit, vendim-marrës vizionarë, akademikë të njohur, aktivistë të bazës dhe ndërrues të sistemeve”.
“Për më shumë se 25 vjet, Simpoziumi i Symit ka qenë një platformë për mendim progresiv dhe bashkëpunim midis aktorëve të ndryshëm nga politika, biznesi, akademia, shoqëria civile dhe kultura. Përmes diskutimeve të vazhdueshme, ai ka ushqyer ide novatore, ka krijuar rrjeta të qëndrueshme dhe ka nxitur veprime të rëndësishme,” – thuhet tutje.
Kurti tash e disa vjet merr pjesë rregullisht në këtë ngjarje.
Sa i përket vizitës së tij të kësaj vere, kreu i Vetëvendosjes deri në këto momente nuk ka treguar se çka po bën atje, me kë do të takohet, ose nëse do të marrë pjesë në ndonjë diskutim.