Kurti priti përfaqësuesit e Norvegjisë dhe Sllovenisë: Diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e posaçëm të Norvegjisë dhe Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjørnstad dhe Anžej Frangeš, të shoqëruar nga ambasadorët përkatës në Kosovë, Jens Grøndahl dhe Minca Benedejčič. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës, Norvegjisë dhe Sllovenisë, integrimin evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe sfidat e përbashkëta të kontinentit evropian.
Gjatë takimit u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe për takimin e ardhshëm në Ohër, ku do të diskutohet plani i zbatimit të propozimit të BE-së për marrëveshje bazë, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Emisarët Arne Bjørnstad dhe Anžej Frangeš ofruan mbështetjen e tyre dhe të vendeve që përfaqësojnë për procesin e dialogut dhe për takimin e ardhshëm në Ohër.
Ata theksuan rëndësinë e këtij takimi si mundësi unike për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve drejt normalizimit të plotë të raporteve dhe kontributin që ka për paqen dhe sigurinë në rajon.
Emisarët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë zyrtare gjatë së cilës do të takojnë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë dhe politikë përfshirë opozitën, ka bërë të ditur ZKM-ja.