Kurti pret ftesën e BE-së për dialog: Do të jem i përkushtuar e kreativ
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se është duke pritur ftesën e BE-së për dialog.
Ai në një intervistë për Deutche Welle ka thënë se pret që së shpejti Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri Josep Borrell ta ftojë atë.
Kurti ka pohuar se për këtë çështje ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tij, ndërkohë që ka thënë se do të jetë i përkushtuar dhe kreativ.
“Nga data 18 gusht, takimet tona kanë strukturë të qartë, takimi zhvillohet në Bruksel, me ftesën e Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ndihmohet nga emisari i tij, Miroslav Lajçak, me pikën e parë të rendit të ditës; korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe pika e dytë është ‘çështjet aktuale’. Unë pres që të bëjmë dialog për marrëveshje dhe pres që së shpejti zoti Borrell të na ftojë, por kur do ta bëjë ai këtë, natyrisht se varet prej vlerësimeve të tij. Nga ana ime, unë kam shprehur gatishmërinë, vullnetin, interesimin dhe do të jem konstruktiv, i përkushtuar e kreativ”, tha Kurti për DW.
