Kurti përkujton masakrën e Rahovecit: Për dokumentimin e krimeve të luftës po themelojmë institut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e Rahovecit, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 150 shqiptarë civil.
Ai ka bërë me dije se Kosova nuk do t`i harrojë këto krime të kryera nga shteti serb.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se në përpjekje për dokumentimin e këtyre krimeve të luftës, Kosova po e themelon Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas tij, ky është një zotim i institucioneve të Kosovës ndaj kërkesës se popullit të Kosovës për drejtësi.
“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit. Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore. Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelojmë Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi”, ka shkruar Kurti.