Kurti për tre policët e liruar: Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, e ka përmbyllur vizitën dy ditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka takuar, mes të tjerëve, edhe sekretarin e Jashtëm, James Cleverly, me të cilin bisedoi rreth nevojës për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, z. Kurti shkroi se u mirëprit ngrohtësisht në vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar.
“Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar.” – shkroi ai.
Në postimin e tij, Kurti tregoi se nesër do t’i pret tre policët e liruar nga Serbia, pasi u kidnapuan me 14 qershor.
“Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushatarke e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje.” – shkroi ai tutje.