Kurti për herë të parë lejoi deputetët e tij të flisnin, ata 'shkretojnë' - NACIONALE

Kurti për herë të parë lejoi deputetët e tij të flisnin, ata 'shkretojnë'

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është diskutuar gjithë ditën në Kuvendin e Kosovës për Projekt-kodin Civil i cili në fund megjithatë NUK KALOI!

Vetëm 28 deputetë votuan “për”, ndërsa 29 ishin “kundër”.

Diskutimet për Kodin Civil ishin kufizuar vetëm në pjesën që i dedikohej martesës, neni 1138, dhe edhe më specifikisht pikës së dytë të tij ku flitej për bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.

Fatmirësisht, për herë të parë kryeministri Albin Kurti u shpreh haptas që besonte në martesat e seksit të njëjtë dhe madje e pranonte që ky projektkod madje as nuk shprehte atë që ishte e drejtë.

Ai u shpreh se 10 për qind e popullit i takonte pakicave seksuale dhe se këta të fundit duhej të pranoheshin në gjirin e shoqërisë sonë si pjesëtarë të barabartë.

Por, a ishte kjo thjesht një lojë e tij?

Shumë deputetë të Vetëvendosjes, për çudi, u shpreh kundër projekt-kodit civil megjithëse ky nuk fliste fare në mënyrë direkte për martesat e seksit të njëjtë por vetëm sa hapte rrugën për një gjë të tillë. Madje, as kjo nuk është e sigurt.

Diskutimet në Kuvend ishin të turpshme. Madje, disa prej tyre patën edhe gjuhë denigruese homofobe që nuk u sanksionua sa duhet nga kryekuvendari.

Mes deputetëve të pushtetit që i dolën kundër projekt-kodit ishin: Labinotë Demi Murtezi, Eman Rrahmani, Jahja Koka, Burim Karameta, Gramoz Agusholli, Gazmend Gjyshinca dhe Visar Korenica.

Por, edhe deputetët që ishin “për”, si Dimal Basha, tregoi mungesë të thellë të vetëdijes për çështjen në fjalë.

“A duhet ne si shoqëri me i respektu apo me i ofendu? Një prej rregullave bazë të demokracisë është respektimi i të qenit dhe bindjeve të ndryshme edhe atëherë kur nuk na pëlqen. Respektimi i të drejtave të komunitetit LGBTI nuk nënkupton pëlqimin e preferencave të tyre, por nënkupton obligim dhe detyrim ligjor” tha z. Basha.

Jashta Kuvendit, ndërkohë, e kishim njëfarë utopie. Në rrjete sociale të Internetit, aktivistë të PSD-së e kundërshtonin Kodin Civil por nga një perspektivë tjetër.

“Kodi civil megjithatë është përjashtues. Kod konservator”, thoshte znj. Teuta Rrusta.

Në lidhje me çështjen, Nacionalja ka përgatitur qysh në mëngjes një artikull në të cilin tregonte mbi përçarjen e Vetëvendosjes për këtë temë.

Lajme të ngjashme