Kurti për dinarin: Mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, tranzicioni është i nevojshëm - NACIONALE

Kurti për dinarin: Mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, tranzicioni është i nevojshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Implementimi i një Rregullore të Bankës Qendrore për Operacione me Para të Gatshme u bë shkak i një kaosi diplomatik ditëve të fundit me komunitetin ndërkombëtar që sa vinte e rriste presionin ndaj qeverisë së Kosovës për të kërkuar koordinim përpara zbatimit të saj. Pas takimit të djeshëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-it për të diskutuar mbi këto zhvillime, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se ka reflektuar lidhur me kritika në menaxhimin e krejt kësaj situate. Ai u zotua se “do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur.”

Përmes një deklarate të lëshuar sot, kryeministri Kurti ka theksuar se mënyra e komunikimit të vendimit “mund të ishte më e qartë”, duke pranuar atë që ia komunikuan SHBA-ja dhe BE-ja ditë më parë se; "një periudhë tranzicioni është e nevojshme".

“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë.” – ka thënë Kurti.

Kreu i qeverisë premtoi se lidhur me Rregulloren e re të BQK-së do të bëjnë fushata promovuese për të adresuar të gjitha paqartësitë që e rrethojnë.

"Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë." - tha Kurti.

Kurti më tej tha se mbështet “pavarësinë dhe profesionalizimin e Bankës Qendrore”, duke shtuar se “Rregullimi i mënyrës se si monedhat e huaja operojnë në një vend është, natyrisht, një kompetencë thelbësore e Bankës Qendrore."

Sipas Kurtit, ka dëshmi se një pjesë e madhe e qytetarëve të komunitetit serb tashmë kanë llogari bankare në euro në një nga institucionet bankare të licencuara.

"Meqenëse Qeveria jonë shpërndan para publike në formë të subvencioneve dhe mjeteve të tjera për mbrojtje sociale, të cilat janë marrë njëkohësisht nga komuniteti serb në lllogaritë e tyre bankare në Euro, ka dëshmi të forta se këto llogari bankare kanë përdorim të gjerë. Pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në Euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare." - ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme