Kurti për Buxhetin 2026: Vërejtjet dhe kritikat do të trajtohen së shpejti me rishikimin e tij
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vërejtjet dhe kritikat e deputetëve do të trajtohen “së shpejti” me rishikimin e buxhetit për vitin 2026.
Në një shkrim në Facebook, ai ka shkruar se miratimi i buxhetit është lajm “tejet i mirë”.
“Miratimi i Buxhetit është lajm tejet i mirë për Republikën dhe qytetarët. Rikujtojmë se buxheti i vitit 2026 ishte dashur të miratohej në fund të vitit të kaluar, por miratimi i tij u bë i mundur vetëm tani. Falënderoj të gjithë deputetët dhe deputetet për votën mbështetëse, por edhe për vërejtjet dhe kritikat e tyre, të cilat do të mund të trajtohen së shpejti me rastin e rishikimit të tij.
Megjithatë, buxheti i miratuar sot, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro, parasheh 867 milionë euro për komunat; përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik; përmban ndryshimin e nevojshëm që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para; si dhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, derisa të miratojmë Ligjin e ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat e vendit tonë” – ka shkruar ai.