Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it: Pas drekës me Lajçakun do të tregojmë detaje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke zhvilluar një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Kosovapress raporton se Kurti, pas prezantimit të platformës për punësim të të rinjve, ka konfirmuar se nga ora 11:00 do të mbajë takim me ambasadorët e QUINT-it.
Pas kësaj, ai do të zhvillojë një drekë pune me emisarin Lajçak, detajet për të cilën, tha se do t’i tregojnë pas takimit.
“E kemi tash një takim me të gjithë ambasadorët që janë të akredituar këtu në Prishtinë, por edhe me diplomatët e tjerë, e kemi një takim në orën 11:00. E pastaj e kemi edhe një drekë pune me emisarin e veçantë të BE-së, z.Lajçak e pastaj mund të flasim për këto gjëra. Do të tregojmë se çfarë temash do të diskutojmë.” – citohet të ketë thënë ai.
Ndërkaq, pamje nga arritja e ambasadorëve te objekti i Qeverisë ka publikuar edhe gazetari Venhar Isufi.
Gjashtë kushtet
Kurti "e pranon" edhe Asociacionin, me gjashtë kushte
Nuk dihet nëse vizita e Lajçak ka ndonjë ndërlidhje me këtë çështje, por ajo që mund të thuhet me shumë siguri, është se BE-ja dhe ShBA-ja kohëve të fundit vazhdimisht kanë kërkuar që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Madje, pas krejt kundërshtimeve, Kurti dha një fjalim që u kuptua si zbutje e qëndrimit të tij, duke prezantuar gjashtë kushte për formimin e Asociacionit.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.
Çfarë tha BE-ja rreth vizitës së Lajçak?
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, të dielen i ka thënë Nacionales se është “pjesë integrale e punës e çdo përfaqësuesi special për të realizuar takime e për të bërë vizita”.
“Është një pjesë integrale e punës së çdo Përfaqësuesi Special të BE-së për të takuar partnerë dhe për të vizituar kryeqytetet në rajon për të cilat përfaqëusesi është përgjegjës. Ne zakonisht as nuk bëjmë njoftime specifike për vizita të tilla pune dhe as nuk i komentojmë ato.” – theksoi z.Stano.
Ndërkohë, takimin për Nacionalen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili na tha se në drekën e punës do të jetë i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.


