Kurti: Në pranverën e 1999, Serbia realizoi planin “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë - NACIONALE

Kurti: Në pranverën e 1999, Serbia realizoi planin “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pervjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, ka kujtuar viktimat e një prej krimeve më të mëdha serbe në vend.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka theksuar se atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogel.

“Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.” – ka thënë tutje ai.

Këto, siç ka theksuar kryeministri, janë dëshmi të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.” – ka thënë tutje ai.

Në fund, Kurti ka shkruar:

“Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara”.

Lajme të ngjashme