Kurti në përqafimin e Edi Ramës në Konferencën e Mynihut
Në Konferencën e Mynihut tashmë ka arritur kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ky i fundit nuk do të ketë të drejtë fjale, por sipas kryeministrisë do t’i takojë në Mynih liderët botëror pjesëmarrës në Konferencë.
E Kurti në korridorin e Konferencës që po mbahet në Mynih e ka takuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën.
Ky i fundit ka postuar fotografi nën përqafimin e Kurtit duke e shoqëruar me simbolet e flamujve të dy shteteve.
Udhëheqësit botërorë po takohen në Konferencën e 59-të vjetore të Sigurisë në Mynih. Gati një vit pas fillimit të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, do të diskutohet për sigurinë dhe mbrojtjen globale, teknologjinë dhe qëndrueshmërinë.
Pjesë e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme do të jenë edhe përfaqësuesit më të lartë të Kosovës. Në Mynih tashmë kanë arritur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Megjithatë, fjalim para udhëheqësve botërorë, sot pritet që të mbajë vetëm presidentja Osmani.
Në agjendën e publikuar, Osmani do të mbajë një fjalim rreth grave, paqes dhe sigurisë, në një panel së bashku me zëvendëspresidenten e Kolumbisë, Franica Marquez.
Fjalimi do të mbahet më 18 shkurt, nga ora 11 e 30 minuta.