Kurti në konferencë: Kërkesa që Asociacioni të jetë kusht për KiE është rrëzuar tri herë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, lidhur me kërkesën për ta dërguar draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Kurti ka deklaruar se kjo kërkesë ishte rrëzuar tri herë nga institucionet e Këshillit të Evropës.
“Së pari ne kemi plotësuar standardet e kriteret, kushtet e parakushtet. Dhe kjo është konstatuar nga Asambleja Parlamentare. Kërkesa që të dërgohet draft-statuti i Lajçak në Kushtetuese, është rrëzuar tri herë në institucionet e Këshillit të Evropës. Herën e parë në Paris më 27 mars, herën e dytë në Strasburg më 16 prill, dhe së treti edhe në kuadër të Asamblesë që pati seancën. Pra tri herë është rrëzuar kërkesa. Në anën tjetër ekziston letra e garancisë që e kemi nënshkruar 3 bashkë, krerët e shtetit. Siç kanë kërkuar, kemi thënë që marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit, dhe pa e përjashtuar për Asociacionin, vijnë pas anëtarësimit dhe ne as nuk i mohojmë dhe jemi të gatshëm të respektojmë e zbatojmë”, tha Kurti, raporton Nacionale.
“Ky do të ishte rasti nëse me datën 26 tetor të vitit të kaluar do të nënshkruhej nga presidenti i Serbisë marrëveshja. Nëse do të nënshkruhej marrëveshja, drafti do të mund të shkonte në Kushtetuese. Drafti të nxirret nga paketa, në qendër, nuk është e mundshme. Nuk mundet një nen nga 11 nene gjithësej, plus aneksi i zbatimit artificialisht, arbitrarisht të vendosen në qendër. Jam në mbrojtje të marrëevshjes bazike. Po e ritheksoj si më herët. Nuk ka mundësi të flitet pa Asociacionin pa ia filluar rend për aneksin e zbatimit të marrëveshjeve”, tha ai.
Kurti përmendi tri rastet që sipas tij, atij iu refuzua ta shkruajë draftin e Asociacionit.
“Unë kam propozuar modelin kroat, por u refuzua. Serbia me Kroacinë kanë marrëveshje normalizimi, atje quhet Këshilli Kombëtar i Serbëve. Edhe Kroacia është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s e mora si shembull, dhe kjo u refuzua. U refuzua ta shkruajë unë draftin, u refuzua që të shkruajë në modelin kroat, dhe u refuzua nënshkrimi i paketës më 26 tetor. Nuk mund të kthehemi tash në vitin 2013. Jemi më 8 maj, jo me 8 maj. Kërkesa për ta bërë kusht është rrëzuar tri herë. Jemi tu fol për një temë që ka marrrë votë negative 3 herë. Ne e kemi të pamundur të bëjmë më shumë në këtë drejtim sepse biem në kundërshtim me Asamblenë e Këshillit të Evropës. Kemi dërguar letër të garancie të nivelit të më lartë”, tha kryeministri.
Kryeministri deklaroi se tash është në dorën e ministrave për të vendosur.
“Presim që gjithçka të shkojë mbar e mirë. Janë vendet anëtare dhe ministrat e tyre që e thonë fjalën e tyre”, tha Kurti.