Kurti në Gjakovë, bën homazhe tek varret e dëshmorëve Elton Zherka e Përmet Vula
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule te varrezat e qytetit të Gjakovës, për nder të 25-vjetorit të rënies së dëshmorëve, Elton Zherka dhe Përmet Vula.
Pas homazheve, kryeministri Kurti ka thënë se Eltoni edhe Përmeti, kanë rënë në betejën e Junikut në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë së bashku me Bekim Berishën dhe me Bedri Shalën.
“Dëshmorët e kanë datën e rënies së tyre heroike që nuk është thjesht ditë e vdekjes, por është ditë e ndërrimit të jetës që i dha jetë e liri popullit tonë, po njëkohësisht edhe na e përkujton jo në çdo përvjetor, por çdo ditë se sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë për çlirimin që u bë, e për lirinë që e gëzon.” – ka thënë Kurti.
Pas nderimeve, Kurti tha se Përmeti dhe Eltoni vijnë nga familjet patriotike me edukatë të kamotshme qytetare, të cilët janë dëshmuar ndër shumë breza dhe pa dyshim që do të kujtohen me pietet edhe për shumë breza që do të vijnë pas nesh.
