Kurti: "M'fal Dimal që po e marrë fjalën pas teje, nuk është kollaj"
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sërish në seancën e Kuvendit të Kosovës, derisa tregoi se kishte pasur telefonatë edhe me Derek Chollet-në.
“M’fal Dimal që po e marrë fjalën pas teje sepse nuk është kollaj...” – e nisi fjalën kryeministri i vendit me tallje, duke thënë më pas se deputeti i partisë së tij kishte "argumente të mira".
Në fjalën e tij, Basha i thuri elozhe Kurtit duke thënë mes tjerash se e gjithë Kosova e dinte sa patriot ishte Kurti.
Ai foli edhe për kritikat se kishte qenë nacionalist gjatë kohës së tij në politikë.
“Dallimi kardinal është mes etnonacionalizmit territorial dhe nacionalizmit çlirimtar anti-kolonialist. Unë i përkas të dytës,” – u shpreh ai duke thënë se kurrë nuk kishte qenë për “etnonacionalizëm territorial”.
Ndërkohë, ai foli edhe për telefonatën që e pati më herët me nënsekretarin Chollet.
“Porsa ma uroi në telefonatë Nënsekretari Derek Chollet marrëveshjen e Ohrit. Deputeti Hoxhaj tha se është dështim. Në ora 1 kam pasë telefonatë me të. Ju po besoni që Kosova ka dështuar në Ohër. Derisa Derek Chollet ma uroi suksesin në Ohër,” – tha Kurti.
