Kurti me vetëatribuim të 'sukseve', citon veç çka ia ka qejfi prej raporteve të organizatave ndërkombëtare
Se Freedom House e konsideron Kosovën vend “pjesërisht të lirë” dhe V-Dem e konsideron Kosovën veç “demokraci elektorale” por jo edhe “demokraci liberale”, kjo s’konsiston në brengë për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili në serinë e postimeve për atë që e ka quajtur vetë “mirëqeverisje” të vet, ka renditur disa që i paraqet për suksese të qeverisjes së tij.
Ndonëse raportet që citon janë të dendura për nga përmbajtja dhe janë më të ndërlikuara se veç mirë-e-keq, Kurti nxjerr veç pjesëzat e këndshme të atyre raporteve në marërdhënie me publikun e tij, duke i anashkaluar raportet aspak të pafavorshme për të: p.sh siç është rasti i raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të botuar hiç më larg se dy ditë më parë ku pikturohet një tablo aspak e ndritshme e tijë.
Megjithatë, ja postimi i plotë i Kurtit:
Tri vjet mirëqeverisje për zhvillim ekonomik me progres demokratik. E progresi ynë demokratik u dëshmua edhe ndërkombëtarisht. Republika e Kosovës arriti renditjet më të larta në matjet dhe indekset e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare. Njohja gjerësisht e avancimit tonë si shtet, shënon historinë e suksesit të demokracisë sonë.
Jemi ngritur për 21 vende më lartë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe për 22 vende në Indeksin e Lirisë së Medieve të Reporterëve pa Kufij.
Në raportin e Freedom House të vitit të kaluar u renditëm të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë në përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile.
Të parët në Ballkanin Perëndimor dolëm edhe në raportin e sivjetshëm të V-Dem për demokraci. Aty renditemi në vendin e 62-të në botë dhe jemi në mesin e nëntë vendeve të botës që kanë shënuar përparim të vazhdueshëm në demokraci. Ndërkaq në Indeksin e Sundimit të Ligjit të Projektit të Drejtësisë Botërore (World Justice Project) për dy vjet radhazi ishim në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.
Në sfidat nga faktorë të jashtëm nga përballja me inflacionin dhe krizën energjetike, sipas Bankës Botërore, kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarë në raport me përqindjen e BPV-së, në krahasim me krejt rajonin, dhe atë pa shtuar borxhe të reja. Një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, tregoi se kemi avancuar nga Grupi C në atë B për sa i përket fokusit në qeverisjen digjitale.
Kurse në vitin 2022, Fondi Ndërkombëtar Monetar renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor për nga rritja e grumbullimit të të hyrave, dhe atë pa ndryshuar politikat fiskale.
Rrugëtimi ynë vazhdon me përkushtim dhe vullnet edhe më të madh, për edhe më shumë progres.