Kurti me sabah në rezidencën e ambasadorit gjerman: Mëngjes pune me emisarin Sarrazin dhe Rohde
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur sot në Rezidencën e Ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde për një mëngjes pune me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Zyra e kryeministrit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar në takim është folur për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit:
“Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe përgatitjet për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit i cili këtë vit shënon dhjetë vjetorin e tij, ishin temë qendrore e diskutimit”.
Në fund, thuhet se Kurti ka përmendur që Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, avancim demorkatik e progres socio-ekonomik.
“Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është e përkushtuar dhe interesuar për fqinjësi të mirë, avancim demokratik dhe progres socio-ekonomik në rajon ku qytetarët janë përfituesit përfundimtarë dhe shtoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në Procesin e Berlinit e të cilat rrisin mobilitetin e qytetarëve dhe mundësitë për zhvillim.” – thuhet në komunikatë.