Kurti me kartën e “bllokadës”, Osmani me Rugovën në sfond: nis fushata për votën e mërgatës
Fushata për zgjedhjet e ardhshme ka nisur ende pa u hapur zyrtarisht. Siç ndodh rëndom, ajo ka nisur me adresime ndaj mërgatës: me thirrje për regjistrim, mobilizim dhe ardhje për të votuar.
Zgjedhjet, tashmë pothuajse zakonisht të parakohshme, po mbahen pak pas nisjes së mandatit të Qeverisë Kurti III. Qeveri e legjislaturës së dhjetë që doli nga zgjedhjet me 51.1 për qind të votave, shumë shpejt u kurthurua me tjetër bllokadë politike.
Shtatë qershori është caktuar si data kur do të votohet për zgjedhjet parlamentare, ndërsa KQZ-ja ka vendosur afatet dhe procedurat deri në ditën e zgjedhjeve. Sot, me nisjen e regjistrimit të votuesve nga diaspora, është hapur edhe fronti i parë i fushatës: gara për votën e mërgatës.
Ndonëse 32 ditë larg zgjedhjeve të parakohshme, 6 maji nuk kaloi pa adresime në rrjete sociale nga ish-kreu i qeverisë dhe ish-presidentja e Kosovës.
Aleatët e dikurshëm, tashmë në kahe të kundërta politike – Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – iu drejtuan mërgimtarëve përmes video-mesazheve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mesazhin e tij për diasporën e nisi mbi narrativën që tashmë është bërë boshti kryesor i komunikimit politik të Vetëvendosjes: se vazhdimi i qeverisjes iu pamundësua jo nga mungesa e numrave, por nga “bllokada” e opozitës.
Në videon e publikuar për mërgimtarët, Kurti u përpoq ta paraqesë rikthimin e vendit në zgjedhje si pasojë të refuzimit të kundërshtarëve për ta pranuar rezultatin e 9 shkurtit.
“Provuam gjithçka. Ishim të vetmit që propozonim zgjidhje me seri ofertash që vendi të mos shkonte në zgjedhje. Refuzim pas refuzimi. Nga e gjithë kjo kuptohet një gjë: këta në thelb nuk e respektojnë rezultatin zgjedhor.
Realisht këta po thonë se qytetarët votojnë, por ne me matematikat tona do ta prishim vullnetin e tyre të shprehur. Dhe kështu e dërguan vendin sërish në zgjedhje me shpresën që të rrëzojnë qeverinë tonë të mirë e të drejtë”, deklaroi ndër tjera Kurti.
Në anën tjetër, ish-presidentja Vjosa Osmani zgjodhi ton më emocional dhe simbolik.
Në videon e saj, me fotografinë e Ibrahim Rugovës në sfond, ajo u bëri thirrje mërgimtarëve të marrin pjesë në zgjedhje, duke theksuar lidhjen e tyre me Kosovën.
“Edhe pse larg fizikisht, zemra juaj rreh çdo ditë për Kosovën”, tha Osmani, duke i ftuar ata të regjistrohen ose të vijnë në Kosovë për të votuar.
Ajo tha se diaspora kishte qenë “pjesa më e bukur” e angazhimit të saj gjatë mandatit presidencial, ndërsa videon e mbylli me: “Ju dua”.
Mesazhe për diasporën publikoi edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu i ftoi mërgimtarët të marrin pjesë në votim.
Kujtojmë se subjektet politike kanë afat deri nesër për t’u regjistruar në KQZ. Deri tani janë paraqitur 18 parti dhe iniciativa politike.