Kurti kthen busullën kah jugu: Greqisë s’i thotë asnjëherë “Jo”, Shqipërinë as s’e pret as s'i shkon
Konsistenca nuk është virtyt i tij në politikë.
Prej ithtarit më të madh të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muaj më parë, as nuk e kishte pritur në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, në Prishtinë, e as nuk i kishte shkuar në Tiranë, për saktësisht të njëjtën nismë nismë.
Ishte arsyetuar se është në Delphi të Greqisë, në një seminar ku shpalohen ide(ologji) të majta; dhe të trajtës krejtësisht argëtuese mendore e teorike.
Me vite, Kurti godiste Edi Ramën për Ballkanin e Hapur derisa në kundërpeshë ia vendoste Procesin e Berlinit, si nismë që ka “BE-në brenda”. S’ka tjetër nismë për Kosovën, shprehej me tonet më elokuente Kurti.
“Shikoni...ajo nismë...Ballkani i Hapur...nuk ka as uebsajt”, ishte vetëm njëra prej këtyre herave ku do t’ia bënte ‘ridikulën’ kësaj nisme të Edi Ramës, Aleksandar Vuçiqit dhe Zoran Zaev-it.
Tashmë kur Rama hoqi dorë nga “Ballkani i Hapur”, Kurti injoroi Procesin e Berlinit, Samit ky që mbahe në tetor të këtij viti në Tiranë, e që Rama i kishte nisur takimet përgatitore me shtetet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, pa Kosovën, për shkak të refuzimit të Kurtit për ta takuar.
Rama, i cili e quante “habi dhe absurd” mospranimin e Kurtit për t’u takuar në kuadër të Procesit të Berlinit, në Prishtinë, qe dorëzuar në komentimin e mosshkuarjes së Kurti në Tiranë.
“Të ftuar ishin të gjithë. Kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”, pati thënë fare shkurt Rama, teksa kishte mirëpritur liderët e katër shteteve të tjera të rajonit, përveç Kosovës.
“Për këtë takim sepse është pjesë e një procesi ku Kosova është aty si një nga 6 vendet. Se kuptoja dot se si do ta shkruara në raportin për Berlinin se si nga Kosova nuk kemi ndonjë material as propozim sepse skemi asnjë komunikim", do të vazhdonte Rama.
Edhe për atë se kishte qenë në Kosovë e s’kishte gjetur homolog, ndonëse Kurti ishte aty, Rama qe shprehur se “nuk shkova atje për t’u martuar me Albinin”.
“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin, dhe nuk ndjehem i fyer si një dhëndër të cilin nusja nuk i doli në takim. Un shkova ne Prishtinë siç erdha këtu, siç do të shkoj aspak në Beograd si kryeministër i Shqipërisë dhe, në mënyrë më absolute skam asnjë problem personal dhe aq m pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës”, citohet të ketë thënë ai.
Këtë të hëne, Kurti udhëton sërish në Greqi, për një nismë “diskutim” rajonal që ka inicuar Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Mediat greke raportuan se iniciativa e kryeministrit Mitsotakis të hënën, më 21 gusht, në orën 20, mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Kështjellën Maximos për një darkë joformale për të diskutuar për zgjerimin dhe të ardhmen e rajon, dhe rolin e Greqisë si shtyllë të stabilitetit, paqes dhe sigurisë së energjisë në Ballkan dhe Evropën Juglindore.
Gjithashtu në fund të gushtit Kurti udhëton edhe në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në “shkëmbim të ideve për të ardhmen dhe të tashmen” me ekspertë të fushave dhe liderë shtetërorë.
Kujtojmë se Kurti kaherë ka qenë ithtari më i madh i Procesit të Berlinit teksa e favorizonte atë si një nismë që e ka “BE-në brenda” sepse rajonit i duhet nisma që e çojnë “brenda BE-së”.