Kurti: Kosova fiton të drejtën e organizimit të “EGMO 2025”
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka njoftuar se Kosova e ka fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës së 14-të Matematike Evropiane për Vajza për vitin 2025.
Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Kurti ka thënë se fitimi i drejtës së organizimit të EGMO 2025, është një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën.
“Republika e Kosovës ka fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës së 14-të Matematike Evropiane për Vajza (EGMO) për vitin 2025
EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare matematike për vajza që ka për qëllim t'i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj. Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës dhe në të marrin pjesë rreth 60 shtete, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë”, ka shkruar kryeministri Kurti.
“Fitimi i së drejtës së organizimit të EGMO 2025 është një arritje e jashtëzakonshme për Kosovën dhe një dëshmi e qartë se Kosova ka kapacitete profesionale e organizative për të qenë udhëheqëse e ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare”, shkruan ai tutje.
Tutje, Kurti shtoi se organizimi i olimpiadës është mundësi për të promovuar Kosovën si vend me vlera evropiane në të cilin vlerësohen dhe mbështeten të rinjtë e talentuar.
