Kurti kërkon trupa shtesë të NATO-s: A po ia di kryeministri hallin vetes? - NACIONALE

Kurti kërkon trupa shtesë të NATO-s: A po ia di kryeministri hallin vetes?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpesh është cilësuar si një “sovranist”, që beson në fuqitë e mbijetesës së shtetit kosovar. Në shumë raste, Kurti ishte deklaruar se është vigjilent karshi kërcënimeve, duke e kundërshtuar idenë se FSK-ja nuk mund t’i bëjë ball Serbisë.

Nga besimi në fuqitë ushtarake të Kosovës, Kurti e ka “ndryshuar” strategjinë, duke kërkuar dje edhe më shumë trupa të NATO-s. Hiç më larg se dje, Kurti kërkoi më shumë angazhim ushtarak e politik të NATO-s në Kosovë. A po ia di Kurti hallin vetës?

“Sovranisti i dorëzuar”

Gjatë një intervistë muaj më parë, Kurti ishte treguar qartësisht i “nevrikosur” me gazetaren e KTV-së, Mimoza Koprani, e cila në mënyrë krejt realiste theksonte se nëse Serbia e sulmon Kosovën, forcat kosovare zor se mund t’i bëjnë ball.

Në universin e Kurtit, kjo deklaratë realpolitike e gazetares Koprani ishte një “paragjykim”.

”Kur ju that që nëse sulmon Serbia forcat tona nuk i bëjnë ballë, unë nuk e di këtë, nuk e kisha paragjyku. Natyrisht që mirë është të kesh ndihmë”, kishte thënë Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti e theksonte idenë e besimit në vetëvete para “se me i ditë hallin vetës”.

“Unë besoj që duhet të besojmë në vetën para se me ia dit hallin vetës, hapi i parë është me e besu vetën pas dija hallin vetës. Nëse ia nisim me ia ditë hallin vetit nuk bëhemi bash shtet. E unë po them të bëhemi siç e kemi emrin, Republikë parlamentare” – kishte theksuar Kurti.

Dy ditë më parë, Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë, e lëshoi një kërcënim karshi Perëndimit e Kosovës. Në fjalën e tij, Vuçiqi theksoi se Serbia do të pret mundësinë e saj rreth çështjes së Kosovës.

“Nuk është problem i doni ata e nuk na doni neve, nëse i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë! Por jemi mjaftueshëm të edukuar dhe mjaftueshëm të mençur e trima dhe mjaftueshëm kemi marrë mësime dhe kemi fituar përvoja pas gjithë asaj që na keni bërë 25 vjetët e kaluara që ta presim momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojmë mundësinë, rastin tonë”, ka thënë Vuçiq.

Pas këtij kërcënimi, duket se kryeministri Kurti po ia di “hallin vetës”. Gjatë një intervistë për mediumin e njohur britanik “The Telegraph”, Kurti kërkoi më shumë trupa britanike në Kosovë. Krejt këtë kërkesë, Kurti e arsyetoi me idënë se “situate është në rrezik”.

“Mbretëria e Bashkuar është pjesë e NATO-s dhe ata veprojnë dhe veprojnë në atë mënyrë. Unë besoj se duhet të ketë më shumë trupa të NATO-s në Kosovë…. "NATO mund dhe duhet të angazhohet më shumë në Kosovë si ushtarakisht ashtu edhe politikisht" tha dje Kurti.

“Situata është e rrezikshme dhe mendoj se nuk mund të besojmë se çfarëdo që të bëjmë, mund t'i përkeqësojmë gjërat nëse angazhohemi më shumë. E kundërta është e vërtetë. Nëse angazhohemi më shumë, kjo do të shërbejë si faktor parandalues”, deklaroi Kurti më tej.

Lajme të ngjashme