Kurti këmbëngul të qëndrojë në botën e çudirave, 2022-ta e krizës së madhe paraqitet si vit i zhvillimit ekonomik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të insistojë se vitit 2022 ishte një vit i zhvillimit ekonomik.
Në një postim të fundit në Facebook, i pari i qeverisë së Kosovës listoi disa “të arritura” të vitit që lëmë pas.
Si qëndron puna?
Me titullin “2022: Qeveria për zhvillim ekonomik dhe ndërmarrësi”, Kurti u mundua ta rrumbullakoj “zhvillimin ekonomik” dhe 5,6 rreshta të tjerë “ndërmarrësinë”.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, i pari i ekzekutivit përmendi rritjen e eksporteve, që është fakt.
Sa herë që kryeministri Kurti flet për “arritjet” në tregtinë e jashtme të Kosovës gjatë vitit 2022, meriton një artikull të veçantë me ekspertë të tregtisë dhe raporte ndërkombëtare që flasin për një deficit tregtar rekord të Kosovës.
Edhe pse ka pasur rritje të eksportit, importi i Kosovës ka qenë stratosferik në vitin 2022.
Kryeministri në vazhdim përmendi edhe rritjen e të hyrave tatimore, të cilat ndonëse përbëjnë një tjetër fakt, ka ndodhur kryesisht si pasojë e inflacionit. Ky fakt është përmendur në raportin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore në vitin 2022.
Aty u përmend si arritje edhe rritja e investimeve të huaja në krahasim me vitin e kaluar ndonëse një gjë e tillë ka ndodhur pothuajse çdo vjet.
Në pjesën e fundit, Kurti përmendi si arritje edhe gjëra të tilla si “Mbështetëm Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren me 3 milionë euro”, “Shtuam rezervat shtetërore të mallrave, si: gruri, vaji, sheqeri dhe nafta”.
Ndryshe, Kosova gjatë vitit 2022 përjetoi krizë të madhe ekonomike në shumë drejtime, me inflacionin që shënoi nivele rekorde e rritjen ekonomike që përjetoi ulje eksponenciale.
Kriza e vitit 2022
Inflacion më të lartë se sa është parë në disa dekada karakterizoi shumë vende të botës gjatë vitit 2022.
Zanafilla e inflacionit në rritje nisi me pandeminë COVID-19 dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Sipas një raporti të FMN-së mbi rritjen globale, u parashikua të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022 dhe 2.7 për qind në 2023. Për Kosovë, 2022-ta përbën një ngadalësim drastik të rritjes krahasuar me vitin 2021.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni i muajit dhjetor për muajin e fundit të vitit 2022 u mbyll me 12.1 për qind krahasuar me normën e muajit të njëjtë vjetore të vitit 2021.
“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2022 me muajin dhjetor 2021 ishte 12.1%.” – thuhet në njoftimin e AS-së.
