Intervista e Kurtit për Frankfurter Allgemeine Zeitung: Publikohen disa fragmente të reja, hiqet pjesa kryesore - NACIONALE

Intervista e Kurtit për Frankfurter Allgemeine Zeitung: Publikohen disa fragmente të reja, hiqet pjesa kryesore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në të cilën ka folur për disa çështje, përfshirë kompromisin me Serbinë, Asociacionin e aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Por, në bazë të versionit aktual, jo edhe për pjesën kryesore: atë se si e kishte bindur ambasadori amerikan me informacione të reja që të arrinte kompromisin për targa.

Michael Martens, gazetar i të përditshmes së famshme gjermane, ka publikuar copëza të kësaj interviste në llogarinë e tij në “Twitter”. Ja çfarë shkroi ai:

Kur u pyet për motivin e Vuçiqit për kompromis, Kurti, mes tjerash, tha: “Jo vetëm që Brukseli nuk e dëshiron Beogradin, por Serbia gjithashtu e parapëlqen Moskën”.

Disa thonë se Kurti është kokëfortë, pasi po e bllokon themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pse e bën këtë? Kurti u përgjigj: “Serbia vazhdimisht thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Ata thonë se Kosova është shtet artificial. Por në këtë shtet artificial të pretenduar, ata duan një asociacion shumë të vërtetë të komunave”.

Ai shtoi: “Slogani serb është: “Ju nuk ekzistoni, por ne duam diçka nga ju.” Nuk do të funksionojë ashtu.”

Një çështje që u diskutua ishte edhe nëse parimi i reciprocitetit, i mbrojtur nga Kurti, do të mund të ishte model për pakicat në Serbi e Kosovë, që pakica shqiptare në juglindje të Serbisë t’i ketë të drejtat të drejta si pakica serbe në Kosovë.

Kurti tha se është në favor të reciprocitetit të të drejtave për të gjitha pakicat në mbarë Ballkanin. “Kjo është formula për paqe. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme për t’i luftuar hegjemonitë nacionaliste”- tha ai.

“Këmbëngulja e Beogradit nuk ka të bëjë me të drejtat për serbët. Serbia e dëshiron territorializimin e këtyre të drejtave – dhe ajo është diçka tërësisht ndryshe”- tha ai.

“Posa të bisedojmë për normalizimin e marrëdhënieve tona, unë jam i gatshëm për të biseduar për komunitetet dhe për të drejtat e pakicës serbe – por jo si parakusht për bisedime, por si pjesë e tyre”- tha Kurti.

Kurti njoftoi se pas Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë, edhe Kosova do ta dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në BE. Kjo gjë do të ndodhë në dhjetor. Ai e përshkroi aplikimin për anëtarësim në BE si çështje parimi.

“Natyrisht, ne e dimë se anëtarësimi nuk do të vijë së shpejti, por është e rëndësishme që ne zyrtarisht, formalisht dhe publikisht ta shprehim dëshirën tonë për t’iu bashkuar BE-së”- tha Kurti.

Megjithatë, duket se aty nuk është përfshirë fare çështja e paralajmëruar nga gazetari Martens për fjalët e ambasadorit amerikan.

Nacionale po përkthen dhe do të publikojë pas pak intervistën e plotë.

Lajme të ngjashme