Kurti: Ishte gabim i madh që marrëveshja bazë nuk u nënshkrua, e hapi derën për shkelje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në konferencë për media bashkë me kryeministrat e Holandës e Luksemburgut.
Kurti ka thënë se gabimi kryesor ishte fakti që marrëveshja bazë nuk u nënshkrua. Sipas tij, kjo e hapi derën për shkelje, raporton Nacionale.
“Nën patronatin dhe ndërmjetësimin e BE-së, Komisionit Evropian, kemi arritur marrëveshje. Ishte e paimagjinueshme dy vjet më parë, kjo marrëveshje quhet Marrëveshja Bazë. Është e ideuar në planin e gjermanive 1972 dhe është qasja e njohjes de facto. Çdo student që studion shkenca politike i leoxn këto 11 pika të marrëveshjes bazë, do të vije në përfundim se është njohje de facto. Vështirësitë që kemi është mungesa e implementimit, dhe kjo mungesë erdhi duke e lënë këtë proces pa nënshkrim. Ky ishte gabim i madh, sepse mos-nënshkrimi i marrëveshjes e hapi derën për shkelje. Çka duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave pa parakushte ose vonesa. Duhet të intensifikojmë dialogun për implementim, mos të heqim dorë nga marrëveshja”, tha Kurti.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne duam zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit për të cilën dëshirojmë të zbatohet në plotëni, pa vonesa dhe pa kushte. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi edhe për BE-në të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ai.