Kurti i tha “pak mund të ndryshojnë zgjedhjet për LDK-në”, Abdixhiku ia kthen: “Nëse je i gatshëm, shkojmë”
- Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në...(Albin Kurti)
- Në qoftë se janë [Vetëvendosja] të gatshëm për zgjedhje, shkojmë në zgjedhje (Lumir Abdixhiku)
Ftesë të hapur për koalicion dërgoi dje Albin Kurti në drejtim të Lumir Abdixhiku, të cilën ofertë e refuzoi ky i fundit sot pa ekuivoke.
Kurti në atë letër gërshetoi çkah’mos: prej edhe brendarreshtash fyerje si “LDK njihet si parti që nuk heziton për koalicione”.
Konstatoi edhe se çka dëshiron elektorati i LDK-së dhe ia bëri, në mendjen e vet, sondazhet: “pak mund të ndryshojë për LDK-në”, tha Kurti, në eventualitetin e zgjedhjeve të reja.
Abdixhiku, krahas refuzimit të koalicionit dhe propozimit për një Qeveri Kalimtare e cila do të shërbente si medium për shkuarje në zgjedhje të reja: iu përgjigj Kurtit në tezat e tij të mësipërme.
“Jemi në krizë. Partia e parë nuk ka zgjidhje për krizën, ka tendencë bllokuese dhe ne po ofrojmë rrugë të zgjidhjes. Por, zgjedhjet nuk përjashtohen. Në qoftë se janë të gatshëm për zgjedhje, shkojmë në zgjedhje”, tha Abdixhiku para gazetarëve.
Në letrën e Kurtit, ky i fundit madje shkoi aq larg sa të thotë që edhe pas mbajtjes së tyre LDK-së dhe VV-së do t’i duhet të ulen për po të njëjtin koalicion, “prandaj, pse të mos e bëjmë?”.
Ngërçi i madh
Vetëvendosja s’ka arritur të gjejë partnerë politikë paszgjedhor – përveç Nismës Socialdemokrate, që s’i mjafton.
Nesër bëhet e dymbëdhejta herë që pritet të dështojë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ku vazhdon të jetë larg numrave për shumicë të thjeshtë parlamentare për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.
Partitë politike, përkatësisht shumica shqiptare, e kanë refuzuar kategorikisht bashkëpunimin me të, si rrjedhojë e armiqësimit të Vetëvendosjes me faktorin politik shqiptar.
Kurti ka provuar dorën tri herë me LDK-në, ndonëse shënjestër më të madhe sulmesh gjatë tërë fushatës dhe pas zgjedhjeve e kishte saktësisht këtë parti.
LDK-së, partia e Albin Kurtit ia ka kontestuar madje edhe rezultatet zgjedhore duke ia sfiduar ato në çdo instant gjyqësore e deri në Gjykatë Kushtetuese.
Megjithëkëtë, sërish kërkon koalicion me to.
Pas refuzimit të tretë të Abdixhikut, sulmet rinisën nga Vetëvendosja duke shtruar akuza prej gjithëçfaresh.
Kurti sot tha shkurt para gazetarëve: “Unë do të jem kryeministër, vazhdojmë tutje”.
Letra e Abdixhikut
Të pamundshme e quajti Abdixhiku bashkëpunimin me Albin Kurtin – si refuzim kategorik të thirrjes për koalicion VV – LDK.
Ai numëroi arsyet si sulmet serioze ndaj demokracisë, ndaj institucioneve të pavarura, rrënimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, sulmi ndaj lirisë së shprehjes dhe mediave, rrezikimi i sigurisë nacionale, polarizimi etj.

