Kurti i krahasoi me bandat në veri, Rizvanolli i gjuhet Odës Ekonomike: Pushteti e gjen një ‘armik’ pas protestës së bizneseve - NACIONALE

Kurti i krahasoi me bandat në veri, Rizvanolli i gjuhet Odës Ekonomike: Pushteti e gjen një ‘armik’ pas protestës së bizneseve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një protestë e bizneseve pas vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, ka shkaktuar reagim të ashpër nga pushteti.

Fillimisht me Albin Kurtin që goditi bizneset nga mbledhja e qeverisë, duke i krahasuar me bandat në veri. E më pas vartësja e tij, Artane Rizvanolli, që bëri akuza në drejtim të Odës Ekonomike të Kosovës.

Krejt kjo pasi bizneset sot, bllokuan hyrje-daljet në Prishtinë për 2 orë.

“Koha për barrikada ka perënduar, i kemi hequr kudo që ishin ato”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë kritikoi Odën Ekonomike për rolin e saj në organizimin e protestës.

“Oda Ekonomike që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Por ajo çka nuk po iu tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se bizneset kanë pasur kohë të përgatiten tetë vjet për tregun e lirë të energjisë elektrike.

“Ligji për energjinë elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit ka nisur më 2017. Sipas tij, faza e dytë është shtyrë disa herë në këto tetë vjet, duke u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrjes apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë. 300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, tha Kurti.

Me Odën Ekonomike, e pati edhe ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli.

“Kemi dërguar ftesë që të kemi takim sot në orën 13:00. Bizneset kanë presion nga Oda Ekonomike e Kosovës për të mos marrë pjesë në takime, për të mos nënshkruar oferta me furnizues dhe për të dalë në protesta Disa furnizues kanë thënë se hezitojnë të vijnë në takimin e sotëm për shkak se nuk ndjehen mirë në një pozitë të tillë se nga disa biznese dhe oda i bëjënë të ndjehen sikurse po e marrin njërën anë e jo atë të luftës politike që ka zgjedh Oda Ekonomike e disa të tjerë”, tha Rivanolli.

Reagime të ashpra vendimi për daljen e bizneseve në treg të lirë, ka pasur edhe nga partitë në opozitë.

Lajme të ngjashme