Kurti harron gjuhën e urrejtjes që shpërndahet nga partia e tij, bëhet i urtë në Twitter
Në realitetin e sotëm ku fjalët kanë peshë të madhe, përdorimi i gjuhës së urrejtjes - veçanërisht nga eksponentë të pushtetit - është jashtëzakonisht problematik. Ndërkohë që Kurti ka bërë një postim në Twitter ku flet kundër përdorimit të gjuhës së urrejtjes, aktivistët e partisë të cilën e udhëheq vazhdimisht përdorin një retorikë të rrezikshme dhe shpesh shqetësuese kundër sindikalistëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve (dhe oponentëve politikë) nga aktivistë të partisë tij - përfshirë edhe zyrtarë të lartë partiakë e qeveritarë - është dënuar shumë shpesh.
Kryeministri Kurti, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Gjuhës së Urrejtjes, përmes një postimi në Twitter ka shprehur shqetësimin e tij për gjuhën e urrejtjes.
Ai mes rreshtash ka theksuar se "fjalët lënduese dhe fjalët e urrejtjes mund të shkaktojnë dhunë të neveritshme". Por sa e besueshme është "cicërima e urtë" e kreut të qeverisë kur anëtarët e lartë të Vetëvendosjes vazhdojnë të përhapin një retorikë të rrezikshme?!
"Gjuha e urrejtjes shpesh hidhet poshtë si e parëndësishme, kur në fakt fjalët lënduese dhe fjalët e urrejtjes mund të shkaktojnë dhunë të neveritshme. Historia e vendit tonë tregon se çfarë lloj dhune mund të rezultojë nga gjuha e urrejtjes. Në ditën e gjuhës së urrejtjes ne afirmojmë të drejtën për të jetuar pa qenë në shënjestër", ka thënë Kurti.
Hate speech is often dismissed as inconsequential when in fact words hurt & hateful words can beget abhorrent violence. Our country’s history shows what kind of violence can result from hate speech. On Int Hate Speech day we affirm the right to live without being targeted.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 18, 2023
Ndërsa Kurti mëton të bëhet “i urtë” në Twitter duke folur kundër gjuhës së urrejtjes, shembujt konkret tregojnë një histori krejt tjetër. Përdorimi i gjuhës së radikalizuar dhe fyese ndaj kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve është shfaqur herë pas here nga anëtarë të lartë të Vetëvendosjes.
Shembull konkret në këtë rast mund të jetë Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, i cili vazhdimisht e ka degraduar gjuhën deri në atë pikë sa... si për shembull; të akuzojë kryesindikalistin Rrahman Jasharaj – mbrojtësin e të drejtave të mësuesve – "ka për shef anëtarin e partisë serbe". Ky dehumanizim i Jasharajt dhe përdorimi i fjalëve të tilla nuk përkon me vlerat demokratike që pretendon të përfaqëson Kurti dhe partia e tij.
Gjithashtu, Avni Zogiani, një zyrtar i lartë i Vetëvendosjes, kishte shfrenuar gjuhën ndaj SBAShK-ut, duke i kërcënuar madje edhe me heqje nga puna. Natyrshëm që edhe kjo shpërfaq një mospërfillje të theksuar për të drejtat dhe lirinë e shprehjes së individëve.
“Kosova, si tërë Evropa, po kalon krizë të thellë për arsye që tashmë dihen... SBAShK-u po funksionon si parti opozitare e jo si sindikatë, prandaj mësimdhënësit nuk duhet t’i shkojnë prapa. Qeveria do të duhej të ndërprejë marrëdhënien e punës për secilin që dëmton mësimdhënien në këto kushte të vështira!”, shkruante ai.
Hysamedin Feraj, këshilltari i Kurtit, ndoshta mbetet lider në këtë kontekst. Ndër shkrimet e shumta me gjuhë urrejtjeje dhe denigruese, ndër më të bujshmit ishte ai kundër gazetarëve, ku i akuzonte ata se “punojnë për Serbinë”.

Nuk duhet harruar se edhe analistët pro-pushtetit, si Sadri Ramabaja, janë pjesë e kësaj historie të gjuhës së urrejtjes.
Ai i quante “njerëz pa atdhe” mbrojtësit e të drejtave të punëtorëve.
“Këta krerë të BSPK-së mbesin tutje të zënë peng, nga sundimtarë që u tallën me arsimin për njëzet e sa vjet, tani gjejnë kohën ta shpallin grevën, kur atdheu është në rrezik?!”