Kurti: Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt, ndihmon njerëzit në të dy anët e lumit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës ka për qëllim hapjen e urës së Ibrit.
Ai ka treguar se për këtë çështje dje ka diskutuar edhe për ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se hapja e kësaj ure nuk është kundër askujt.
“Ne patëm një takim përmbajtjesor, konsultativ me ambasadorët e QUINT dhe BE-së, ku diskutuam për situatën e sigurisë në përgjithësi, për zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës, e në veçanti për nevojën e hapjes së Urës që është një marrëveshje e para shumë viteve në Bruksel nga dekada e kaluar. Natyrisht që askush nuk mund të thotë se kjo nuk është gjë e mirë ose e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të bëhet hapja”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar se hapja e kësaj ure do t`i ndihmonte qytetarët në të dy anët e qytetit.
“Hapja e urës mbi lumin Iber që ne e synojmë nuk është kundër askujt, por është për qytetarët, për mallrat dhe kapitalin. I ndihmon si njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë e bashkëpunimin”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, ai ka thënë se nuk ka ndonjë arsye që vetëm kjo urë të mbetet e mbyllur.
“Janë edhe tri ura të tjera mbi lumin Ibër dhe të mbetet vetëm kjo e mbyllur nuk është në rregull. Ura ka karakter të bypass, është aty për të kaluar një urë, liqe apo greminë”, ka thënë ai.
Bislimi po i përgatitë komentet
Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për përgatitjet e Kosovës në raport me zbatimin e procesit të dialogut të Brukselit.
Ai ka thënë se ekipi i Besnik Bislimi është duke punuar për të ia dërguar BE-së komentet rreth planit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
“Ekipi i zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është duke punuar edhe në këtë kohë që ne po flasim në mënyrë që t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate dhe të merituar, e për këtë gjë sigurisht do t’ju njoftojnë edhe juve gjatë ditës se sotme ose më së largu nesër paradite”, ka thënë Kurti.
Ai ka përsëritur qëndrimin e Kosovës për marrëveshjen në fjalë.
Sipas Kurtit, kjo marrëveshje se pari duhet të respektohet e më pas të zbatohet.
“Së pari, para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes, duhet të kemi respektim. Nuk mund të kemi zbatim të vërtetë e as të qëndrueshëm nëse nuk kemi respektim. Serbia s’e ka bërë këtu, përkundër e ka shkelur për çdo javë prej kur është pranuar vitin e kaluar, duke kulmuar me letrën e Bërnabiq, në mes të muajti dhjetor dërguar 27 vendeve të BE-së ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja”, është shprehur ai, duke shtuar se për këtë marrëveshje nevojitet nënshkrimi.
“Pra ne insistojmë në respektim të marrëveshjes, për këtë gjë nevojitet nënshkrimi, sepse nënshkrimi do të ishte garanti e sinqeritetit, mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme”, është shprehur Kurti.