Kurti: Ftoj të gjithë qytetarët e komuniteteve të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video-mesazhi i është drejtuar qytetarëve të vendit që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.
Kurti në këtë video-mesazh i është drejtuar të gjitha komuniteteve për të aplikuar për polic në veri të Kosovës,
“Tani, kur jemi para fazës finale të diplomimit të një gjenerate të përbërë nga djem dhe vajza të të gjitha komuniteteve, dhe të cilët janë të gatshëm të fillojnë të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët në vendin tonë, Policia e Kosovës ka hapur derën për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë për t'iu bashkuar me qëllim që të ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët tanë që jetojnë në komunat në veri të vendit.” – ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti tutje ka kërkuar nga qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për aplikim.
“Konkursi është i hapur deri më 26 janar. Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë - serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkali, egjiptianë, kroatë dhe malazezë - që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të aplikojnë dhe të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve brenda komunave në veri të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës është për të gjithë ne, me të gjithë ne dhe në shërbim të të gjithëve. Nuk ka dhe nuk do të ketë dallime brenda saj apo në ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë.” – ka përfunduar Kurti.
